Arbëri

Gjykata Komerciale hyn në programin Legjislativ të Qeverisë

Në fillim të mbledhjes së 110-të, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Rregullorja për Integrimin e të Huajve, e cila përcakton procedurat, kriteret dhe institucionet përgjegjëse për integrimin e të huajve në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Republikën e Kosovës, transmeton Koha.net.

Rregullorja për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave, mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave për shqyrtimin administrativ të akteve të komunës, si dhe obligimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministrive të linjës dhe institucioneve tjera përgjegjëse për këtë proces.

“U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme/Ndërtesës-Lokaleve Afariste të cilat janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Sheshit të Qytetit” në Obiliq si dhe vendimi Preliminar për shpronësim të pronave të paluajtshme të ish ndërmarrjes OBP “Produkt” Zona Kadastrale Polac i Ri në Skenderaj, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Parkut të Biznesit””, thuhet në komunikatë.

Tutje bëhet e ditur se kabineti qeveritar aprovoi në parim Nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Portugalisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve.

Miratimin e Qeverisë së Kosovës e mori edhe propozimi i Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, që në Programin Legjislativ për vitin 2019 të përfshihet edhe Projektligji për Gjykatën Komerciale. Themelimi i kësaj Gjykate del si rezultat i analizave të procesit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, rezultate këto që rekomandojnë fuqishëm themelimin e kësaj gjykate.

Poashtu, me propozim të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në mbledhjen e sotme aprovimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi për pagesën e pensionit të papaguar për vitet 2011 – 2015, në vlerë prej 18 mijë euro për bashkëshorten e Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”.

Në fund të mbledhjes kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, sqarim lidhur me kërkesën dhe propozimin e Komunës së Gjilanit lidhur me çështjen e ujit të pijes në këtë komunë, dhe një kërkesë të K.R.U Gjakova lidhur me buxhetin e paraparë për renovimin e gypave në këtë ujësjellës. Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ndërrimi i gypave të azbestit është projekt jetik për qytetarët e komunës së Gjakovës dhe si ministri e Financave në proceset e ardhshme buxhetore, po edhe gjatë këtij viti, pas krijimit të rrethanave ligjore janë të gatshëm për mbështetjen e këtij projekti dhe adresimin e kësaj çështje.