Arbëri

Shërbime të veçanta shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale

Kosova është vendi i katërt që do të nisë së zbatuari projektin për shërbime të veçanta shëndetësore për gra të dhunuara gjatë luftës, por edhe ato që në ditët e sotme kanë përjetuar apo përjetojnë dhunë në baza gjinore. Bosnje e Hercegovina, Iraku dhe Afganistan tashmë janë duke e zbatuar një projekt të ngjashëm.

Për zbatimin e këtij projekti është nënshkruar edhe një memorandum ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe organizatës “Medica Gjakova”, e cila u ofron ndihmë psiko-sociale viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe atyre që përjetojnë dhunë mbi baza gjinore.

Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se së shpejti do të trajnohen 16 mjekë dhe teknikë mjekësorë për t’i trajnuar më pas edhe 100 mjekë e infermierë të tjerë, në mënyrë që ata të avancohen në trajtimin e rasteve të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës seksuale gjatë luftës.

Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99. Por, për shkak të paragjykimeve, janë vetëm raste të rralla kur personat që kanë përjetuar këtë dhunë kanë folur për historitë e trishta të tyre.

Të plotë mund ta lexoni në REL