Arbëri

Serbia pengon pranimin e Administratës Tatimore të Kosovës në IOTA

Foto: Koha

Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ka shprehur sot kënaqësinë që Drejtoria e Tatimeve të Serbisë “me sukses ia ka dalë të pengojë pranimin e Administratës Tatimore të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Administratës Tatimore (IOTA)“, raporton gazeta “Danas” e Beogradit, transmeton Koha.net.

Siç e citon kjo gazetë, ministri i Financave të Serbisë, ka thënë se “ky është një lajm i shkëlqyer për Serbinë dhe edhe një konfirmim se ia kemi dalë që edhe në këtë mënyrë të tregojmë jolegjitimitetin e të ashtuquajturave institucione të Kosovës. Në këtë mënyrë, pra, kemi dëshmuar se asgjë nuk arrihet me forcë dhe pa marrëveshje me Beogradin zyrtar asgjë nuk mund të arrihet”. Sipas tij, në bazë të Kartës aktuale të IOTA-s anëtarë të kësaj organizate mund të jenë vetëm shtetet e pranuara nga Kombet e Bashkuara.

Në një komunikatë të Minstrisë së Financave të Serbisë theksohet se delegacioni i Drejtorisë së Tatimeve të Serbisë në Bruksel përbëhej nga drejtorja Dragana Markoviq dhe personi kryesor për kontakte me IOTA-në, Snezhana Iliq, “të cilët me sukses ia kanë dalë detyrës në lidhje me këtë çështje, kështu që Administrata Tatimore e të ashtuquajturës Kosovë nuk është pranuar në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare” në asamblenë e përgjithshme që është mbajtur nga data 1 deri më 5 korrik të këtij viti.

IOTA është themeluar më 1996 si shoqatë e administratave tatimore me qëllim që t’u ndihmojë vendeve të Europës Qendrore dhe asaj Lindore për të ngritur drejtori të suksesshme tatimore. Aktualisht kjo organizatë ka 44 anëtarë.

Siç thonë ekspertë, ajo merret me avancimin e administratave tatimore, duke përcjellë përvojat dhe eventualisht duke ua vënë në dispozicion programet e drejtorive të përparuara tatimore atyre më pak të zhvilluara.

Pra, bëhet fjalë ekskluzivisht për shoqatë profesionale këshillëdhënëse. Misioni i saj është të ofrojë forume për diskutim në lidhje me çështje praktike tatimore, promovon bashkëpunimin midis administratave tatimore në rajonin e Europës, identifikon praktikat e mira dhe inkurajon zbatimin e tyre si dhe mbështet zhvillimin e administratave tatimore të vendeve anëtare, shkruan “Danas”, transmeton Koha.net.