Arbëri

Refuzimin e Tahirit për pjesëmarrje në komision për çështjen e noterëve, opozita e quan papërgjegjësi dhe skandaloz

Refuzimi i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për të raportuar në Komisionin për Legjislacion, ka përplasur deputetët e opozitës dhe pushtetit, anëtarë të këtij komisioni.

Tahiri ishte paraparë të raportojë për gjendjen në administratën e sistemit të drejtësisë, pagat në shërbimin korrektues dhe konkursin e noterëve, raporton KTV.

Procesi në këtë konkurs u kritikua nga opozita dhe u vlerësua i manipuluar.

Mosardhjen e ministrit Tahiri për raportim deputetët e cilësuan skandaloze.

Por, ministri Tahiri u mbrojt nga deputeti Hajdar Beqa, i cili kërkoi që të mos diskutohet për konkursin e noterëve dhe çështjet e tjera pa praninë e tij

Deputetja Albulena Haxhiu u kritikua për moskomunikim të mirë me anëtarët e komisionit nga deputetja Xhevahire Izmaku, e cila tha se do të kërkojë nga Vetëvendosja që ajo të tërhiqet nga kryesimi i komisionit.

Kurse, Haxhiu insistoi të flasë për dy letrat që i adresoi ministrit Tahiri.

Ministri Ablerad Tahiri për herë të dytë nuk ishte i pranishëm të raportojë në këtë komision.

Deputetët, pavarësisht kritikave, u pajtuan që ta ftojnë sërish Tahirin për raportim më 15 korrik.