Arbëri

Për çka akuzohet Gazmend Muhaxheri

Për shkak se nuk e respektoi vendimin gjyqësor ta kthente në punë drejtorin e auditimit të brendshëm, Hysni Selmanaj, ndaj Gazmend Muhaxherit është ngritur aktakuzë.

Aktakuzën ndaj kryetarit të Pejës e ka ngritur Prokuroria Themelore e kësaj komune, ngase më 24 mars të vitit 2016, Muhaxheri ka refuzuar ta ekzekutojë vendimin e Gjykatës së Apelit.

“I pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë, ndonëse ka qenë i obliguar që vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ta respektojë në tërësi, duke e kthyer të dëmtuarin H.S. në vendin e punës, drejtor i Auditimit të Brendshëm me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke ia paguar 50% të pagës nga dita e pezullimit deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Pejës, raporton KTV.

Hysni Selmanaj, Drejtor i auditimit të brendshëm, pati folur disa herë rreth keqpërdorimeve të Muhaxherit.

Suspendimin e Selmanajt, Komuna e Pejës e kishte arsyetuar me performancë të dobët të punës dhe, sipas zyrtarëve komunalë, për kërcënimin që Selmanaj ia kishte bërë drejtorit të financave.

Në Interaktiv, përpos padrejtësisë ndaj tij, Selmanaj kishte kritikuar Muhaxherin për keqpërdorime tjera të mëdha.

Për vendin e tij të punës, Selmanaj ishte ankuar te krerët e shtetit, por s’kishte marrë asnjëherë përgjigje, duke mbetur ende i papunë.