Arbëri

MTI-ja shpenzoi afro 140 mijë euro për ish-ilegalët që nuk punuan fare

Descriptive Text

Afro 140 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për paga të 26 punonjësve të ish-strukturave paralele serbe pa punuar fare.

Edhe pse ata ishin angazhuar në këtë institucion me vendim të Qeverisë së Kosovës, të datës 22 korrik 2015, të bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtje civile”, që funksiononte në veri Kosovës, gjatë vitit të kaluar nuk janë paraqitur asnjëherë në vendin e punës. Shpenzimet e tilla të buxhetit Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka cilësuar si të parregullta.

Në raportin e auditimit në MTI, ZKA-ja ka gjetur se me gjithë përpjekjet e Qeverisë për të krijuar kushte për punë për këtë komunitet nuk është arritur qëllimi i integrimit të tyre, pasi ka ndodhur një sulm në objektet ku do të duhej të fillonte puna, si dhe ka pasur kërcënime të tjera të vazhdueshme.

Shpenzime të parregullta të kësaj natyre Zyra Kombëtare e Auditimit kishte hasur edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Administratës Publike, Ministrinë e Arsimit dhe në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, sipas ZKA-së, shkakton dëmtim buxheti, si dhe mosarritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës. Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri rekomandohet që çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresojë edhe në Qeveri. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)