Arbëri

“(Për)mbarimi i shtetit”, gjerësisht në të dielën me “Koha Ditore”

Humbja e parave të taksapaguesve nga institucionet përmes procedurave të përmbarimit është kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Shkrimi kryesor me titull “Përmbarimi i shtetit ”, jep detaje se si shteti është kthyer në viktimën më të madhe të përmbarimit.

Aty mund të kuptoni se si institucionet publike as pas pesë vjetësh, nga licencimi i përmbaruesve të parë privatë nuk kanë krijuar mekanizma dhe politika se si të veprojnë kur pranojnë urdhra përmbarimorë.

Po ashtu, te tema e javës, mund të lexoni për urdhrat e jashtëligjshëm që rrezikojnë milionat e shtetit.

Te tema e së dielës gjeni shkrimin për noterinë, e cila në konkursin e fundit dëshmoi se është e kapur nga politika e nepotizmi.

Në intervistën e javës, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zeka, tregon se si mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies të përmbaruesve dhe noterëve krijon pasiguri juridike për qytetarët.

Në faqet e së dielës, mund të lexoni edhe reportazhin për urën e veçantë të ngritur mbi Lumbardh.

“Gjermanët e mbështesin edhe më fort ‘nënën pas telasheve’” dhe “Shteti indian që mbjell farat e vdekjes”, janë dy nga titujt në faqet e botës.

Fejtoni, këtë javë, sjell informacione për neutralizimin e përpjekjeve të sovjetikëve për grusht shtet në Shqipëri në kohën e liderit komunist, Enver Hoxha.

Në rubrikën ‘kosovarçe’, vjen shkrimi për çarshinë Gjakovës, ndër qendrat më të vjetra tregtare në Kosovë, e cila është paralajmëruar të mbyllet si pasojë e myshterinjve të paktë.

Rubrika e kulturës sjell regjisoren nga Kalifornia Leslie Thomas, e cila përmes artit mbron të drejtat e njerëzve.

Në Monument mund të lexoni për zanatin e vjetër 200-vjeçar të përgatitjes së tullumbave në Prizren.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti, veçohet ai sulmuesit të Feronikelit, Mevlan Zeka, i cili shfrytëzoi për mrekulli mundësinë që iu dha te skuadra nga Drenasi.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.