Arbëri

Opozita dhe analistët nuk presin që MPJ-ja ta mbajë gjatë ndalesën për vizitat e zyrtarëve serbë

Asnjë zyrtari serb nuk do t’i jepet leje për të hyrë në Kosovë.

Ky është vendimi që ka marrë Ministria e Punëve të Jashtme, këtë të enjte, pas kërcënimeve që Serbia ia ka bërë kohëve të fundit Kosovës.

Këshilltari në MPJ, Jetlir Zyberaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ky vendim do të jetë në fuqi derisa shteti serb nuk do të ndryshojë sjellje sa i përket Kosovës.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve të rrejshme ndaj vendit dhe qytetarëve tanë dhe përpjekjeve të fundit për ta inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës, duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata t’i mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për ta vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj.

Por, ky vendim i MPJ-së ka revoltuar zyrtarët serbë, përkatësisht shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i cili ditë më parë qëndroi në Kosovë.

“Prishtina po vazhdon me hapa të çmendur të cilët janë direkt hedhje poshtë e marrëveshjeve të arritura para 8 vjetëve. Marrëveshja për vizitat e zyrtarëve e arritur në vitin 2011 dhe vendimi i autoriteteve në Kosovë që t’i ndalojnë vizitat e zyrtarëve tanë në krahinën autonome Kosovës, është edhe pyka e fundit në sëndukun e vdekjes së idesë së dialogut, shuplakë e fortë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, goditje në themelet e lirisë se lëvizjes dhe parimeve evropiane”, ka thënë Gjuriq.

Por, anëtarët e Komisionit i cili mbikëqyr punën MPJ-së, thonë se vendimet e tilla ad hoc, janë politikë jo serioze karshi Serbisë.

Derisa ekspertët e sigurisë thonë se kjo nuk është hera e parë që Ministria e Punëve të Jashtme merr vendime për ndalesa të tilla, e më pas tërhiqet nga vendimet e saja.

Vendimi i MPJ-së vjen pasi në veri të vendit u mor vendim që për tri ditë radhazi të mbyllen të gjitha dyqanet dhe bizneset, në shenjë proteste për taksën 100 % vënë produkteve serbe.