Arbëri

UNMIK-u s’konfirmon as demanton se urdhërarresti për Radojiçiqin është lëshuar nga ta

Foto: Ilustrim

Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) as e ka konfirmuar e as demantuar informatën se për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiqin, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për shkak të dyshimeve për lidhjen e tij me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

“Komunikimi mes UNMIK-ut dhe autoriteteve të Kosovës në lidhje me çështje të Interpolit, si dhe mes UNMIK-ut dhe Interpolit, është konfidencial”, ka thënë UNMIK-u në një përgjigje për “Zërin e Amerikës” kur është pyetur “nëse është e vërtetë se përmes UNMIK-ut është lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për arrestimin e Millan Radojiçiqit”, transmeton Koha.net.

UNMIK-u ka udhëzuar gazetarët që për çështjet në lidhje me urdhër-arrestet duhet të pyeten autoritetet në Kosovë ose Interpoli.

Kujtojmë se Gjykata ka lëshuar dje urdhër-arrest ndërkombëtar për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili dyshohet të ketë gisht në vrasjen e politikanit serb.