Arbëri

Veseli: Pa ndëshkimin e akteve të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, s’ka fqinjësi të mirë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se aktet gjenocidiale të Serbisë ndaj popullatës shqiptare të Kosovës do të ndëshkohen, jo për hakmarrje, por për të ndërtuar fqinjësi të mirë.

Në një tubim me strukturat e partisë në Podujevë, Veseli tha se pa u vënë drejtësia në vend për çdo krim, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë.

“Duke ecur përpara, ne nuk do të harrojmë për të ndëshkuar aktet e gjenocidit të kryer në vendin tonë nga regjimi kriminal serb, para 20 vitesh, e gjithë kjo, jo për hakmarrje, por për të ndërtuar fqinjësinë e mirë, duke u vënë drejtësia në vend për çdo krim, ndaj qytetarëve tanë të paarmatosur”, tha Veseli, duke shtuar se rrugën euro-atlantike të Kosovës nuk mund ta ndal askush, ashtu siç nuk mund të ndalet zhvillimi i vendit tonë dhe perspektiva e çdo qytetari pa dallim.

Ai tha se PDK-ja ishte dhe mbetet emblemë e zhvillimit të demokracisë ndër ne, vlerë e njerëzve që bartin përgjegjësi dhe marrin obligime.

Kreu i PDK-së tha se PDK-ja, ashtu si deri sot, edhe më tej do të jetë prijëse e interesit nacional, vlerave demokratike dhe zhvillimit të vendit.