Arbëri

Qeveria miraton planin e reagimit për menaxhimin e fluksit të mundshëm të migrantëve

Foto: Driton Paçarada / KD

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt të 109-të, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në fillim të mbledhjes Haradinaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta e intelektualit, Skënder Gashi, babait të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për Kryesues të Bordit të Rregullatorit për Energji.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e rregullt ka miratuar vendimin për rregullimin e ndarjeve buxhetore të organizatës buxhetore Zyra e Kryeministrit, bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Tutje thuhet se edhe Raporti i konsoliduar vjetor për funksionimin e sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike për vitin 2018, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar. Ky raport pasqyron një përmbledhje të vlerësimeve të kryera nga subjektet e sektorit publik në fushën e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Kosovë për vitin 2018, si dhe përmban konkluzionet dhe rekomandimet për përmirësime të mëtejshme.

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar edhe planin e reagimit për Menaxhimin e Fluksit të Mundshëm të Migrantëve, Refugjatëve dhe Aplikuesve, që ka për qëllim menaxhimin e fluksit të migrantëve, refugjatëve dhe aplikuesve, duke definuar veprimet përgatitore dhe të rangimit nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ky plan përcakton autoritetet kompetente, organizatat dhe përgjegjësitë e tyre në rast të fluksit të migrantëve, refugjatëve dhe aplikuesve, si dhe masat dhe aktivitetet që duhet të ndërmerren dhe resurset e nevojshme për zbatimin e këtij plani.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Komisionit për vlerësimin dhe propozimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me të drejtën e autorit nga operatorët kabllorë.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për të kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministres së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, mbi programin “Decentralizimi dhe Mbështetja komunale (DEMOS), faza II”.

Edhe vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Auto Prishtina” ish Hoteli Victory, për nevojat e Policisë së Kosovës, Zona Kadastrale Prishtinë, Komuna e Prishtinës.