Arbëri

Italia 30% më shumë monitorime ajrore në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka pritur një delegacion të Policisë Italiane, me përbërje nga Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Guardia di Finanza-s, Qendra e Ekselencës BENECON e Universiteti i Dytë i Napolit.

Në fokus të takimit, sipas raportimit të Shqiptares, ishte koordimi për misionin e fluturimeve që do të monitorojnë territorin shqiptar, në kuadër të zbatimit të protokollit për identifikimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Çako falënderoi Qeverinë dhe Policinë Italiane, misionin e UCI Albania të Interforzës dhe të Guardia di Finanza-s si edhe Universitetin e Dytë të Napolit, Qendra BENECON për kontributin dhe ndihmën në punën e Policisë Shqiptare.

“Jemi përsëri në zbatim dhe në vazhdim të protokolleve dhe të akt-marrëveshjeve për mbështetjen dhe ndihmesën ndaj Policisë Shqiptare, në monitorimin e kultivimit të kanabisit. Një mision i cili ka vlera të jashtëzakonshme në luftën që kemi bërë në vazhdimësi.

Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është caktuar si një nga strategjitë kombëtare nga shteti shqiptar.

Zv/drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane Kolonel Sandro De Angelis, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe nënvizoi vullnetin e Policisë Shqiptare për të bashkërenduar veprimtarinë kundër kultivimit të kanabisit.

“Është një moment themelor për Shqipërinë përsa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit”, tha De Angelis.

Komandanti i Repartit të 3 të Guardia di Finanza-s në Komandën e Përgjithshme të Guardia di Finanza-s, kolonel Joselito Minuto bëri një përshkrim të detajuar të punës së bërë dhe të ndryshimeve në rritje për këtë vit të orëve të fluturimit, përpunimit dhe dërgimit të të dhënave.

“Duke u bazuar në përvojën, ne jemi gati menjëherë të jemi operativë. Kemi llogaritur që këtë vit të kryhen 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar.Falë teknologjisë së avancuar kemi reduktuar kohën në maksimum përsa i përket përpunimit të të dhënave”, nënvizoi Minuto.

Palët dakordësuan hartimin e një plan veprimi të përbashkët.