Ministria e Infrastrukturës pagoi 32 ish-zyrtarë të strukturave paralele pa punuar fare

30 June 2019 19:11

Ministria të cilën e udhëheq Pal Lekaj, kishte paguar ish-pjesëtarë të strukturave paralele në veri, pa pasur asnjë dëshmi se ata ishin paraqitur ndonjëherë në vendin e tyre të punës.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit, në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës, pas një procesi të rekrutimit me akt-emërime, kishte integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, raporton KTV.

Këta punonjës ishin planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në Ministri.

Për zyrtarët e lartcekur, Ministria nuk posedon dëshmi që konfirmojnë paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, përderisa Ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 32 zyrtarë, ishte 153,554€.

“Kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës”, shkruan në Raportin e Auditorit.

Një tjetër shkelje e madhe ka të bëjë me pagesën e një fature dy herë.

“Me datën 29.11.2018, ishte ekzekutuar një pagesë me vendim gjyqësor, në vlerë të 47,168 €, nga ana e përmbaruesit privat, për projektin “Asfaltimi i rrugës Jashanicë - Klinë’’. E njëjta faturë, në po të njëjtën vlerë, me datën 26.12.2018, është paguar edhe nga Ministria e Infrastrukturës. Ministria ka filluar procedurën për kthimin e pagesës, por deri në përfundim të auditimit, kthimi i mjeteve nga kompania nuk është kryer”, ka gjetur Auditori.

Në së paku dy raste, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata me operatorë që nuk i kanë plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë së dosjes së tenderit.

Në vitin 2018, Ministria e Infrastrukturës ka shpenzuar 244 milionë e 826 mijë e 293 € apo 79% të buxhetit final, me një përkeqësim në performancë prej 19%, krahasuar me vitin 2017. Realizimi i buxhetit mbetet në nivel jo të kënaqshëm, përfundon raporti i Auditorit.

Shefi i kabinetit të ministrit Argjend Zenaj, nëpërmjet telefonit, ka thënë se ende nuk e kanë lexuar raportin, por, sipas tij, Auditori e ka huqur pjesën e raportit, kur ka thënë se MI-ja ka paguar pjesëtarë të strukturave paralele nga buxheti i saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme