Arbëri

KOMF-i thotë se shkelësit e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve do të ndëshkohen

Janë të shumtë fëmijët që kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë të ndryshme në kryeqytet.

Deri më tash, institucionet i kanë marrë fëmijët dhe i kanë larguar nga rruga, por derisa nuk ka pasur forma ndëshkuese për kujdestarët e tyre, ata janë rikthyer sërish në punë, raporton KTV.

Tani, kjo kategori e fëmijëve si dhe të gjithë të tjerët, do të mbrohen me ligj e ndaj atyre që shkelin të drejtat e tyre, do të ketë edhe masa ndëshkuese.

Të gjitha këto rregullohen me Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, që të enjten është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, e ka mirëpritur miratimin e këtij ligji, i cili ishte rekomandim edhe i Raportit të progresit.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit “KOMF”, ka thënë se me këtë ligj parashihen edhe masa ndëshkuese, si ndaj prindërve ashtu edhe të tjerëve që shkelin të drejtat e fëmijëve.

Por, shqetësim mbetet zbatimi i tij.

Në maj të vitit të kaluar, një 14-vjeçar vdiq nga dhuna e ushtruar nga babai i tij, në Karaçevë të Gjilanit, derisa 3 muaj më vonë, Pjetër Nrecaj vrau gruan e tij Valbonën dhe vajzën e tyre 9-vjeçare.

KOMF, gjithashtu, ka kërkuar nga komunat që të hartojnë rregullore bazuar në dispozitat e ligjit të miratuar.