Arbëri

Haradinaj: Pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet

Foto: Koha

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook lidhur me refuzimin nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Europës Kontinentale që iu ka bërë EMS nga Serbia për operimin e KOSTT.

Haradinaj ka përgëzuar menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës.

“Pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet!. Përshëndes refuzimin e djeshëm nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Europës Kontinentale, të kërkesës së EMS (Serbi) për rishikim të vendimit të fundit të këtyre OST-ve, që ka të bëjë me definimin e afatit kohor për operim të KOSTT-it zonë/bllok rregullues brenda Europës kontinentale, jo më larg se 14.04.2020, kur edhe Elektrosever kushtëzohet për të operuar i liçencuar si furnizues konform kornizës ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Më këtë datë, thotë Haradinaj, KOSTT do të fillojë të operojë si zonë rregulluese brenda Europës, i pavarur nga Serbia, sipas marrëveshjes së re të kyçjes me ENTSO-E.

“Përgëzoj menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë tanë amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës”, përfundoi ai.