Arbëri

Hidhet poshtë akuza e Rada Trajkoviqit kundër Vuçiqit e Gjuriqit

Prokuroria e parë themelore në Beograd e ka hedhur poshtë akuzën të cilën për shkak të sigurisë e kishte bërë kundër presidentit Aleksandar Vuçiq dhe drejtorit të Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, drejtoresha e Lëvizjes evropiane të serbëve nga Kosova Rada Trajkoviq, përcjell gazeta Danas.

Këtë informatë për këtë gazetë e ka konfirmuar Rada Trajkoviq duke pohuar se presidenti Vuçiq, me botimin publik të informatave lidhur me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit e ka rrezikuar sigurinë e saj. Prokuroria e ka hedhur poshtë akuzën duke pohuar se ata me deklarata e veta nuk e kanë rrezikuar jetën e Rada Trajkoviqit.

Ajo akuzon se e ka bërë për shkak të deklaratave që i kishin bërë zyrtarët më të lartë shtetërorë se ajo bashkëpunon me organet e hetuesisë së Kosovës lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Vuçiqi ndër të tjera kishte thënë se Trajkoviq me dëshminë e vet po iu ndihmon shqiptarëve të Kosovës që të hyjnë në veri të Kosovës, transmeton Koha,net.

"Sipas fjalëve të Rade Trajkoviq, Oliveri ka qenë gjithmonë i përcjellë dhe i përgjuar nga shërbimet profesionale e në veçanti nga shteti i Serbisë… e shihni ç’gënjeshtare që është ajo grua, e shihni ç’gënjeshtarë që janë ata, njerëzit si ajo e kanë paditur shtetin vet, ata njerëz i mbajnë peng njerëzit tjerë për agjendën e vet politike, ose po gënjen Rada Trajkoviq ose Sylë Hoxhaj”, kishte thënë atëherë Vuçiq.

Nga ana tjetër Gjuriq kishte thënë se "Rada Trajkoviq është vetëm njëri nga pjesëmarrësit e fushatës së organizuar të rrënimit të autoritetit të shtetit dhe të institucioneve të tij".

Prokuroria e Kosovës kishte konfirmuar se Trajkoviq ishte marrë në pyetje e pas deklaratave të zyrtarëve shtetërorë, ajo kishte marrë mbrojtje policore.