Arbëri

Ministria e Inovacionit ndau 244 mijë euro për OJQ-të që s’i plotësuan kriteret

Tri organizata joqeveritare i ka financuar Ministria e Inovacionit në kundërshtim me kriteret e përcaktuara dhe kërkesat ligjore. Vlera e financimit të këtyre OJQ-ve është 244.840 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit për Ministrinë e Inovacionit për vitin 2018 ka konstatuar se një gjë e tillë ka ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit të vlerësimit. Komisioni, sipas ZKA-së, e kishte bërë vlerësimin në kundërshtim me kërkesat e udhëzuesit për aplikant.

Në raport theksohet se në 3 raste OJQ-të nuk i kishin plotësuar kriteret e thirrjes, pasi programi i punës së tyre nuk ishte i fokusuar në fushën e inovacionit dhe të ndërmarrësisë.

“Po ashtu, projektet për të cilat kishin aplikuar nuk ishin në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e caktuara për financim të vendosura në thirrje. Fushëveprimtaritë dhe projektet kishin të bënin me edukimin shëndetësor dhe ngritja e nivelit profesional në fushën e shëndetësisë, sigurimi i shërbimeve humanitare, trajnimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe dhënien e këshillave ndaj bletarëve”, thuhet në raport. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)