Arbëri

Gashi: Kosova para një rreziku serioz nga lajmet e rreme

Redaktori i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se bazuar në analiza, Kosova është para një rreziku serioz nga pasojat që mund t’i shfaqin lajmet e rreme.

Ai thotë se, pasojat rriten edhe nga niveli i ultë i profesionalizmit të gazetarëve të cilët nuk i vërtetojnë faktet.

Ai ka kujtuar edhe rastin e gruas rome e cila u sulmua dy herë në qytete të ndryshme si pasojë e lajmeve të rreme në disa medie në Kosovë.

“Një status i dikujt është bërë lajm në portalet tona pa u verifikuar dhe pa u vërtetuar asnjë informacion. Ajo çka nuk kanë bërë mediet është se i kanë besuar statusit pa tentuar të bëjnë asnjë verifikim”, ka thënë ai.

Ai thotë se në raste të tilla, mediet duhet t’i luftojnë mediet e rreme.

“Sot kemi tentuar të ua tregojmë gazetarëve të rinj se si duhet të verifikohen faktet”, ka thënë ai.

Gashi në “Express Intervista” të KTV-së ka thënë se para pesë viteve portalet kanë publikuar lajme në të cilat ka pasur komente të tmerrshme, mirëpo sipas tij, Këshilli i Medieve të Shkruara u ka lënë përgjegjësi medieve për përmbajtjen e komenteve.

Ai thotë se komentet që janë fyese, denigruese duhet të hiqen nga portalet.

Ai thotë se Këshilli i Medieve të shkruara nuk ka kompetencë të shikojë për secilin koment në portale.

“Kemi raste në Gjykata që për shkak të një komenti, njerëzit kanë fituar para dhe e kanë fituar rastin”, ka thënë ai.

Ai thotë se në Kosovë ka filluar të rritet vetëdija për ankesa për lajmet e rreme.

“Në Këshillin e Medieve të Shkruara kemi rritje të ankesave më shumë se 100%, gjë që është e mirë, sepse e rrit vetëdijen”, thotë ai.

Gashi tutje ka shtuar se në Kosovë për me qenë medium mjafton vetëm një certifikatë pune.

Ai thotë se shqiptarët e Kosovës kanë fituar miliona euro përmes lajmeve të rreme.

Sipas tij, industria e lajmeve të rreme më së paku i atakon gazetarët.

“E rëndësishme është me e ditë që partitë politike secila i kanë dy tri portale. Njerëzit që punojnë aty ose marrin rroga prej partive politike ose prej bizneseve”, thotë ai.

Ai thotë se bizneset po i përdorin portalet për të atakuar konkurrentet e tyre.

Sipas Gashit, njerëzit duhet të edukohen dhe të dinë se jo çdo gjë që lexohet në portale është e vërtetë.

“Ne kemi pas raste shumë herë që kemi dal e kemi demantu lajme të rreme. Në rastin e fotografisë së Flora Brovinës, unë nuk e di si kanë fytyrë disa medie të dalin para lexuesve të tyre për aq shumë detaje të rreme që kanë dhënë”, ka shtuar ai.

Ai thotë se në fushata zgjedhore mediet dallohen shumë lehtë se me cilat parti janë, e sipas tij, nga këto dëmtohet më së shumti kredibiliteti i medieve.

“Ka ende gazetarë e medie të cilat janë duke bërë punë të mirë duke shtuar se kjo është luftë që mund të fitohet”, ka përfunduar ai.