Arbëri

Maxhuni thotë se po punohet për verifikimin e së kaluarës së Nikoliqit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, asnjëherë nuk ka kërkuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë që ta verifikojë Branislav Nikoliqin.

Ai, në ditën kur e liroi nga detyra këshilltarin e tij serb pas raportimit të medieve, gjithë fajin ua kishte hedhur institucioneve të sigurisë, se nuk i kanë dhënë informacion paraprak për përfshirjen e mundshme të Nikoliqit në aktivitete të dyshimta, raporton KTV.

Por, para komisionit që mbikëqyr AKI-në, Shpend Maxhuni ka thënë se institucioni që ai drejton nuk është përgjegjës për t’i kontrolluar emërimet që i bën presidenti.

Kryetari i Komisionit, Faton Topalli, tha se deri tani nuk ka ndonjë rezultat përfundimtar se cila është veprimtaria e ish-këshilltarit serb të presidentit Thaçi.

Tutje, Topalli ka thënë se ajo çfarë dihet është se ka pasur njohje mes Thaçit dhe Nikoliqit, meqë ky i fundit, në vitin 2012, ishte emëruar në Bord të PTK-së dhe nga viti 2016 ka marrë rrogë nga Presidenca.

Ndërsa, Arbër Rexhaj nga Vetëvendosje, e ka quajtur politik e sipërfaqësor raportimin e Maxhunit.

Ndërkohë, me shefin e Inteligjencës, të mërkurën nuk është diskutuar në lidhje me planin në veri të vendit, për “krizë humanitare”.