Arbëri

Vdiq gazetari e politikani Rrok Berisha

Ka vdekur në moshën 62-vjeçare ish gazetari dhe politikani, Rrok Berisha.

Berisha kishte lindur më 5 gusht të vitit 1956 në Gllogjan të Lugut të Baranit. Ai kishte studiuar për Biologji-Kimi. Nga viti 1978 kishte punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës, në Programin Informativ Politik. Aty punoi deri më 1990.

Nga ajo kohë e deri në përfundimin e luftës, Berisha ishte marrë me shkrime politike.

Rrok Berisha ishte edhe ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane. Në zgjedhjet e marsit 1998, Berisha ishte zgjedhur deputet i Parlamentit të Kosovës (për zonën e Lugut të Baranit, nga PSHDK-ja).

Berisha kishte ndihmuar në sistemimin dhe organizimin e njësiteve operative të UÇK-së në Dukagjin, të oficierëve të FARK-ut. Ai ka qenë drejtor për informim në Zyrën e Brigadës 131 të njësive operative të UÇK-së në Baran.

Nga viti 2010, Berisha ishte pronar-editor i Shtëpisë Botuese Grafike “Fishta” Prishtinë.

Ishte baba i dy vajza e dy djemve

Vëllimet poetike:

-“Ti aty mbush ujë”; -“Kërkimi i vetvetes”; -“Vetmia e udhëtimit”; -“Larg e Afër”; -“Shpirti i dritës së amshuar” ( poezi kushtuar Nënë Terezës, shqip- anglisht); -“Kujtimet e varura”, -”Pesha e Hapit” -“Kur piqen Qershitë”, -“Nëse shtegton me erën” -“Akuarelet e Shpirtit” -“Kujtime te lidhura nyje” -“Nëpër tehun e ndjenjës” -“Vare ne lakun e lakmisë” -“Tatuazh Shpirti’ dhe -“Lulëkuqe e butë “

Vëllimet publicistike:

-“Krimbi në mollë”; -“Bardh e Zi”; -“Kukullat”; -”Shitësit e Mjegullës”; -“Argatët e Dreqit”, -“Letër Jo e Zakonshme” (memoare e ditar nga koha e luftës në Kosovë); -”Anton Frrokaj - në piedestalin e përjetësisë”, /Monografinë si bashkautor me Mikel Gojani./