Arbëri

Beogradi alarmon për gjendjen në veri, Prishtina thotë se gjithçka është inskenim

Foto: Koha

Komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, sipas autoriteteve në Beograd, po i vuajnë deri në përmasat e tragjedisë humanitare pasojat e taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina zyrtare për importet nga Serbia.

Por, e gjithë kjo situatë, sipas Qeverisë së Kosovës është një inskenim i Beogradit që vjen si presion dhe përpjekje për pezullimin e vendimit për taksën 100 për qind.

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk ka krijuar krizë humanitare në pjesën veriore të Kosovës, pasi gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës janë të hapura për qarkullim të mallrave dhe tregtarët lejohen të furnizohen me produkte nga vendet të ndryshme, ka thënë të mërkurën ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala. Këto komente ai i bëri në një debat me temën “Efekti i Taksës 100 për qind”, të organizuar nga Kolegji Riinvest.

Shala ka shtuar se taksa 100 për qind e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, do të mbetet në fuqi derisa shteti i Serbisë të ndërrojë qasjen karshi shtetit të Kosovës.

“Vetëm në pjesën veriore, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i ka të angazhuar mbi 30 inspektorë të tregut dhe shumica nga ta janë nga komuniteti serb, të cilët në baza ditore janë duke e përcjell tregun në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Dhe nga informatat që kemi nga inspektorët, nuk ka asnjë shqetësim dhe nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha ministri Shala.

Ai ka përsëritur qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë