Arbëri

Haradinaj: Takimi i Berlinit nuk ishte i fshehtë

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se takimi i delegacioneve teknike të Kosovës dhe Serbisë në Berlin javën e shkuar, nuk ka qenë i fshehtë.

Edhe pse takimi ishte mbajtur larg syrit të publikut e pa paralajmërim, Haradinaj ka thënë se ka qenë takim i ftuar nga ekip i kancelares gjermane Angela Merkel dhe se s’ishte sekret e i fshehtë.

“Ka qenë takim i ftuar nga Merkel, për ekipet teknike. Mund të thuhet konfidencial, i punës, por as sekret e as i fshehtë. Ka qenë takim i ftuar nga ekipi i kancelares Merkel për palët e mandatuara”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë.

Tutje Haradinaj ka thënë se kanë informata për planin e improvizimit të një krize humanitare në veri. Sipas tij, gjithçka do të dekonspirohet dhe s’do të lejohen projekte “të çuditshme që s’i takojnë këtij shekulli”.

“Ekziston tendenca me i mbyll sytë para kontrabandës e trafiqeve, por s’guxojmë të lejojmë këtë, jo pos për ushqim, por kontrabandistët mund të bartin edhe narkotikë edhe armë. S’mund të lejojmë këtë”, ka thënë Haradinaj.

Duke komentuar deklaratën e presidentit serb se nëse Kosova heq taksën, do të ndalet lobimi për çnjohje, Haradinaj ka thënë se “s’mund të mohosh ekzistencën e Kosovës dhe me ia marr tregun”.

“Edhe për Krishtlindje në perëndim me dal me shitë, në shesh paguan tezgën. Tregu i Kosovës është i pamundshëm për Serbinë pa njohje. Nëse dëshiron njohje ekonomike, nënkupton tregun, duhet të njohë në kufijtë ekzistues”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është mirë që marrëveshja të arrihet sivjet, por ka shtuar se më me rëndësi se shpejtësia është drejtimi i duhur i negociatave.

Për monopolin në homologim ka thënë se është gjendje e trashëguar dhe se kompetenca i takon ministrisë së Infrastrukturës.