Arbëri

Monopoli në homologim përplas Lekajn me Konjufcën

Descriptive Text

Derisa ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj po raporton para Komisionit për Zhvillim Ekonomik lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, ka plasur debati mes tij dhe deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Situata u tensionua kur gjatë debatit, Konjufca pyeti ministrin Lekaj se “sa është paguar nga EuroLab”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Lekajt, i cili tha se kjo është vepër penale dhe për këtë fjalë i tha Konjufcës se mund të shkojë në gjykatë.

Konjufca replikoi duke thënë se dikush ka marrë para në vitin 2009, dhe po merr edhe në vitin 2019.

“Dikush po merr para edhe tash, na trego kush”, ka thënë Konjufca, raporton KP.

E Lekaj tha se nuk ka marrë asnjëherë para nga askush dhe se nuk është i interesuar për “EuroLabin”.

“Kjo që bëre është turp, ti më njeh edhe familjarisht. Kurrë nuk kam marrë para nga askush dhe nuk jam aspak i interesuar për ‘EuroLab’. Më vjen shumë keq në çfarë gjendje keni ardhur”, ka deklaruar Lekaj.

Ministri Lekaj ka pasur debat edhe me deputetët tjerë, si deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputetin Salih Zyba.