Arbëri

“Profesorët përballë ligjit”, Mehmeti flet për pandëshkueshmërinë e stafit akademik

Aulona Mehmeti, autore e raportit “Profesorët përballë ligjit” të organizatës “Admovere” në Express Intervistën në KTV ka folur për mungesën e ndëshkueshmërisë ndaj profesorëve që shkelin ligjin.

Mehmeti ka thënë se ka lloje të shumta të shkeljeve që profesorët kryejnë, por ka shtuar se mungojnë rezultatet nga institucionet e drejtësisë.

“Profesorët përballë ligjit” tregon parregullsitë e stafit akademik të UP-së dhe rastet e profesorëve me aktakuza, kallëzime penale ose dënime.

Ngacmimet seksuale, plagjiaturat, vonesat në orë e konsultime, falsifikimet, lidhjet me politiket e të tjera janë shkeljet që përmenden në këtë raport.

“Dukuria e mungesave është mjaft e përhapur”, ka thënë Mehmeti, teksa ka shtuar se “problemi është angazhimi i madh nëpër institucione e pozita të larta partiake apo kudo tjetër e profesorëve”.

Sipas saj, “shumë profesorë ua lënë konsultimet dhe mbajtjen e provimeve asistentëve të tyre”.

Për të gjitha këto, Mehmeti ka thënë se mungojnë ndëshkimet.

Për raportin, Mehmeti ka thënë se studentët flasin për dukuritë shqetësuese, por jo publikisht për shkak se ekziston shqetësimi i hakmarrjes. Ka thënë se për bazë kanë marrë hulumtimet e organizatave të tjera, ku është përfshirë edhe ndikimi i politikës.

Ajo ka thënë se shumë pak dekanë kanë pranuar të flasin hapur për çdo problem të mundshëm, ndërsa s’kanë marrë përgjigje as nga Sekretari i UP-së.

Mehmeti ka vlerësuar se duhet të iniciohet një debat publik për plagjiaturën.

“Profesorët janë shembuj për gjeneratat e reja. Deshëm apo jo, ata janë idhuj për studentët. I takojnë një shtrese të veçantë dhe gëzojnë paraqitje mediale e çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se duke qenë prezent kaq shumë vendosin një standard të ri social. E ne duhet të sigurohemi të mos kemi standard të ulët social”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në shumicë profesorët ndaj të cilëve ka pasur aktakuza janë liruar nga drejtësia, ndërsa në raport ka theksuar se përmenden profesorët e rasteve “Stenta” dhe “Pronto”.

“Varësisht nga shteti dhe universiteti, secili ka rregullat e veta. Ka vend që deri gjykata të marrë vendim për të fajësuar dikë universiteti vetëm e suspendon, apo kur të ngritët aktakuzë, fakulteti e largon apo suspendon. Tek ne s’ka ndodhur edhe pse kemi rastin ‘Stenta’, me shumë profesorë, apo kemi rastin e aferës ‘Pronto’ ku është përfshirë Besim Beqaj, apo të paprekshmin Enver Hasani”, ka thënë më tej Mehmeti.