Arbëri

Drejtori i Postës edhe kryetar i degës së PDK-së, MZHE-ja pyet se a është ky konflikt interesi

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, vazhdon ta mbajë këtë pozitë në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike.

Hoxha, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në Drenas, javën e kaluar u zgjodh edhe anëtar i Këshillit drejtues të kësaj partie, raporton KTV.

Shoqëria civile kërkon shkarkimin e tij nga pozita në Postën e Kosovës, sepse Ligji për ndërmarrjet publike përcakton se i emëruari në këtë pozitë nuk duhet të jetë i përfshirë në politikë në 36 muajt e fundit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka konfirmuar për KTV-në se rastin e Hoxhës e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsion, për ofrim të opinionit ligjor dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në cilësi të aksionarit të Ndërmarrjeve Publike, pasi kemi pranuar informatën se Kryeshefi i Postës së Kosovës, z. Sejdi Hoxha, është zgjedhur në pozitën e kryetarit të degës së njërës nga subjektet politike në Drenas, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, konform përgjegjësive dhe bazës ligjore, rastin në fjalë e kemi dërguar për ofrim të opinionit ligjor në Agjencionin Kundër Korrupsionit AKK, autoritet i mandatuar për të mbikëqyrur konfliktet e interesit dhe jemi në pritje të përgjigjes nga ana e tyre”, është thënë në përgjigjen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Kjo e fundit vetëm ka treguar se është duke e trajtuar rastin në fjalë dhe se Agjencia do t’i bëjë publike vetëm rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar.

I kontaktuar nga KTV-ja, z.Hoxha ka thënë se do ta respektojë 100 % vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion. Ka rekomanduar të lexohet postimi i tij në Facebook muajin e kaluar ku, mes tjerash, ka thënë se nuk e ka shkelur asnjëherë ligjin.

Hoxha, në postimin e tij pati shkruar se nga Zyra ligjore e Postës i është konstatuar se mbajtja e këtyre dy pozitave në të njëjtën kohë nuk përbën konflikt interesi.

Raste të emërimeve politike në vend nuk janë të rralla. Së fundmi, KTV-ja ka raportuar se si Qeveria ka mbushur bordet e disa ndërmarrjeve publike, të emëruara javën e kaluar me militantë të partive në pushtet: PDK-së, AAK-së e NISMA-s.