Arbëri

13 vjet në kërkim të pronës që ia la i ati, por ja shfrytëzon djali i axhës

Për të katërtën herë, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Afërdita Statovcit.

Statovci, që nga viti 2006, është duke u ballafaquar me institucionet e drejtësisë për të marrë pronën këtu në Sllatinë të Madhe, që ia la trashëgim babai, që i vdiq kur ishte vetëm 10 vjeçare, raporton KTV.

Por, xhaxhai i saj ia mohoi për gati dy dekada këtë të drejtë.

Ajo sot ndihet e zhgënjyer me vendimin e fundit të Apelit.

Prej kur i vdiq babai, Afërdita e vetme me nënën e saj jetojnë në kushte të vështira dhe pa strehim të qëndrueshëm.

Djali i xhaxhait të Statovcit, Muharrem Haxhia, pa dashur të flasë para kamerës, shkurt ka thënë se do t’ia jep pronën nëse vendos ashtu Gjykata.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka konfirmuar, përmes një përgjigjeje me shkrim, se lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje në maj të këtij viti, kryesisht për shkelje procedurale.

“Sa i përket arsyeve, ato janë dhënë në mënyrë të qartë dhe të thuktë, në pjesën arsyetuese të vendimit, e që kryesisht lidhen për shkak të të metave të natyrës procedurale, që kjo gjykatë nuk ka mundur t’i evitojë”, ka thënë Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës së Apelit.

Në arsyetimin e Apelit, ndër të tjera, thuhet se Gjykata e shkallës së parë nuk ka sqaruar mjaftueshëm çështjen e përfshirjes së të gjitha palëve që kanë ose mund të kenë legjitimitet aktiv ose pasiv në këtë procedurë.