Arbëri

Oda Amerikane e shqetësuar për monopolin në homologimin e automjeteve, kërkon ndërhyrje institucionale

Edhe Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësimin lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve, që sipas saj pengon konkurrencën dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rikujton institucionet e Republikës së Kosovës se Kushtetuta parasheh një rend ekonomik, i cili bazohet në ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur Oda Ekonomike Amerikane thotë se një ekonomi funksionale liberale kërkon një terren të barabartë të operimit, ku intervenimi dhe ndërhyrja e Qeverisë në rregullimin e forcave të tregut nuk duhet të ekzistojë ose të jetë minimal.

“Në këtë aspekt, kontrolli ekskluziv i tregtisë me ndonjë mall a shërbim, është në kundërshtim me orientimin e shtetit për ekonomi të tregut të lirë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe marrëveshjet e Kosovës me entitetet ndërkombëtare, reflektojnë zotimin e institucioneve të shtetit për përmbushjen e dispozitave përkatëse që promovojnë linjat e një ekonomie të tillë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Prandaj, Oda Amerikane shpreh shqetësimin e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve, që pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatë.

Ngjashëm, dhe për shumë vite, institucionet e shtetit kanë ushtruar trajtim të favorizuar për ndërmarrjet publike, përmes implementimit të gabueshëm të dispozitave për blerjet “brenda shtëpisë”, përmes të cilave autoritetet publike blejnë shërbime nga ndërmarrjet publike pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Oda Amerikane përsërit qëndrimin e saj se ndërmarrjet publike në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si “autoritete publike”, meqë Ligji për Ndërmarrjet Publike qartazi parasheh se këto ndërmarrje, pa përjashtim, u nënshtrohen ligjeve, rregulloreve dhe akteve nënligjore, të cilat rregullojnë organizatat e bizneseve private, prandaj blerja e shërbimeve të tyre nga autoritetet kontraktuese përmes “dispozitave të prokurimit brenda shtëpisë” duhet të ndërpritet meqë cenon konkurrencën e lirë.

Oda Amerikane gjithashtu rikujton periudhën e gjatë prej rreth tri viteve kur Komisioni i Konkurrencës ka qenë jo i plotë dhe jofunksional, duke parandaluar në këtë mënyrë Autoritetin e Konkurrencës të përmbushë detyrat e tij ligjore në fushën e mbrojtjes së konkurrencës, duke i bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që të sigurojnë funksionimin e mirëfilltë të këtij organi gjatë tërë kohës.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane thekson se pengimi i konkurrencës së lirë përbën shkelje të dispozitave kushtetuese, të cilat në mënyrë eksplicite ndalojnë praktikat që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe abuzimin me pozitën dominuese. Në këtë frymë, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet të identifikojnë praktikat e padrejta biznesore dhe ndërmarrin masa për ndalimin e tyre, si dhe të sigurojnë një treg të lirë dhe konkurrues.