Arbëri

Turqia ofron mbështetje për SHSKUK

Zëvendësministrja e Shëndetësisë e Republikës së Turqisë, Dr. Emine Alp Meşe, në kuadër të zhvillimit të Javës së Shëndetësisë Kosovë- Turqi, ka vizituar sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo është pritur nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, i cili i tha asaj se ka ndodhur një riorganizim i tërësishëm në strukturën e SHSKUK, ku është krijuar sektori për kualitet dhe cilësi të shërbimeve shëndetësore, po ashtu ai për donacione dh bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndryshime tjera që kanë qëllim organizimin më të mirë të punës.

Ministrja Emine Alp Meşe, potencoi se Turqia është avancuar mjaft në shëndetësi, ka mjekë mjaft të arsimuar në të gjitha shërbimet.

“ Jemi të lumtur që ju ofrojmë pacientëve nga Kosova ndihmën, jemi të gatshëm të ndajmë dijet tona me vëllezërit tonë nga Kosova, marrëveshje që u nënshkrua sot është në këtë kuadër, i mirëpresim mjekët kosovarë në Turqi” u shpreh ajo.

Gjatë takimit u bisedua mundësia që mjekët nga Kosova të shkojnë për edukim në Turqi, për profile të ndryshme, e po ashtu, në raste të tubimeve dhe konferencave profesionale edhe mjekët nga Turqia të vijnë në Kosovë.

Alp Meşe, pas takimit vizitoi Klinikën Infektive ku u njoftua me punën që bëhet në këtë klinikë.