Arbëri

Ambasadorja e Kosovës në Panama, Zana Rudi, dorëzon kredencialet edhe në Gajanë

Descriptive Text

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama znj. Zana Rudi i ka prezantuar Letrat Kredenciale para Presidentit të Republikës së Gajanës, Sh.T. David Granger, duke u akredituar kështu si ambasadorja e parë e Republikës së Kosovës në këtë shtet të Amerikës Jugore.

Ceremonia shtetërore me gardë nderi, me ç‘rast u ngrit edhe flamuri i Kosovës, u mbajt në selinë e Ministrisë së Presidencës së Gajanës me prani të presidentit Granger dhe drejtoreshës së përgjithshme së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Gajanës Sh.S. znj. Audrey Jardine-Waddell.

Sipas protokollit shtetëror të Republikës Kooperative së Gajanës, ambasadorja Rudi mbajti fjalim te shkurter ceremonial duke falënderuar presidentin dhe institucionet e Gajanës për njohjen e Kosovës si dhe përkrahjen dhe bashkëpunimin në sferën multilaterale. Ajo gjithashtu shprehu përkushtimin e saj dhe të institucioneve të Kosovës për të thelluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Është nder i jashtëzakonshëm që të jem ambasadorja e parë e Republikës së Kosovës në Republikën Kooperative të Gajanës”, tha ambasadorja Rudi në fjalimin e saj me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Ajo më tej vuri në pah se Kosova është e gatshme të punojë me qeverinë e Gajanës dhe synon të gjeje forma inovative për të thelluar më tej marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes dy vendeve.

Presidenti i Gajanës z. David Granger duke i dëshiruar mirëseardhje në Gajana ambasadores Rudi u shpreh i lumtur me ngritjen e nivelit të përfaqësimit diplomatik dhe të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gajanës dhe siguroi Ambsadoren Rudi se përkrahja për Kosovën dhe bashkëpunimi në rrafshin bilateral dhe multilateral do të vazhdojnë edhe më tej.

Z. Granger në fjalimin e tij tha se marrëdhëniet mes Gajanës dhe Kosovës janë të bazuara në respektin reciprok për integritetin dhe sovranitetin territorial të njëri-tjetrit, respektin për marrëveshjet dhe të drejtën ndërkombëtare. "Ne mirëpresim mundësinë për bashkëpunim me Kosovën në fushën e minierave dhe në shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore", tha ai ndër tjera.

Pas ceremonisë së akreditimit në përputhje me dispozitat e protokollit shtetëror të Republikës së Gajanës, ambasadorja Rudi ka vendosur kurorë lulesh tek Monumenti Harku i Pavarësisë, një nga simbolet më të rëndësishme të sovranitetit kombëtar të Republikës Kooperative të Gajanës.

Me dorëzimin e Letrave Kredenciale në Gajana, ambasadorja Rudi tashmë është e akredituar në tetë shtete të regjionit të cilin mbulon ambasada e Republikës së Kosovës në Panama.

Gajana është vend i Amerikës Jugore që kufizohet me Brazilin, Venezuelën dhe Surinamin. Ka një popullësi prej rreth 750.000 banorësh dhe territor prej 215.000 km katrorë. Gajana ka njohur Kosovën në vitin 2013. Selia e organizatës së Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) me 15 shtete anëtare është pikërisht në Georgetown, kryeqyteti i Gajanës.