Arbëri

Lehtësohen shërbimet mjekësore për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe Shoqata Medica nga Gjakova kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve mjekësore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, dhe drejtoresha ekzekutive e Medica Gjakova, Mirlinda Sada.

Qëllimi i përgjithshëm i marrëveshjes është zbatimi i projektit “Përmirësimi i shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor tek gratë dhe vajzat me trauma të mbijetuara të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Sipas një njoftimi nga SHSKUK-ja, projekti synon forcimin e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve shëndetësore publike për këtë kategori. Zbatimi do të fillojë në dy komuna, në atë të Gjakovës dhe Prizrenit.

Kjo marrëveshje lidhet për një periudhë dy vjeçare, me mundësi vazhdimi dhe hyn në fuqi me datën e nënshkrimit të saj nga të dyja palët.