Kuvendi me shumë seanca të jashtëzakonshme dhe pa asnjë efekt Foto: Alban Bujari / KD

Kuvendi me shumë seanca të jashtëzakonshme dhe pa asnjë efekt

16 June 2019 13:36

Kuvendi i Kosovës për pesë muajt e parë të këtij viti ka mbajtur njëmbëdhjetë seanca plenare dhe dhjetë seanca të jashtëzakonshme. Mbajtja e kaq shumë seancave të jashtëzakonshme po konsiderohet si pengesë për punën e rregullt të Kuvendit, por që partitë opozitare thonë se është mënyra e vetme për të adresuar çështje të ndryshme.

Partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje po përdorin seancat e jashtëzakonshme për të dërguar përpara agjendat e tyre, ndërkohë që nga shoqëria civile vlerëson se këto seanca po e pengojnë punën e rregullt të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se përmes këtyre seancave po shtyjnë përpara agjendën e tyre dhe çështjet që i konsiderojnë të rëndësishme.

Ajo potencon se këto seanca të jashtëzakonshme po vijnë për shkak të skandaleve të Qeverisë dhe si opozitë nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë tyre.

“Ne me seanca të jashtëzakonshme po e shtyjmë agjendën tonë, çështje që ne i konsiderojmë që janë të rëndësishme dhe sidomos këto seancat e jashtëzakonshme dalin pas skandaleve të Qeverisë. Padyshim që ne duhet të reagojmë me seanca të jashtëzakonshme dhe ne po e shtyjmë përpara agjendën tonë, prandaj, në rrethana të tilla çdokush do të kërkonte zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse nuk mund të vazhdohet kështu. Nëse e shihni se cilat janë pikat që kanë mbetur pa u shqyrtuar dhe pa u votuar në Kuvend, janë mbi 70 pika, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, ka një çrregullim total të punës së Kuvendit, ka një Qeveri të pakicës që mezi qëndron në këmbë, prandaj na duhet angazhim për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme”, potencoi ajo.

Një numër të seancave të jashtëzakonshme janë thirrur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani, thotë se në shumë raste kanë qenë të detyruar të thërrasin seanca të jashtëzakonshme për shkak të mos mbajtjes së seancave plenare.

“Ne kemi qenë të detyruar që të thërrasim seanca të jashtëzakonshme, sepse në fillim të këtij mandati kur tentonim në mënyrë të rregullt të ftojmë debate parlamentare ose interpelanca, përkundër faktit që rregullorja e përcakton afatin brenda së cilës duhet të mbahet debati parlamentar ose interpelanca, kryesia e Kuvendit i shtynte ato pafundësisht që edhe na ka vendosur neve në një pozitë që kur mendojmë që një çështje patjetër sa më shpejt të trajtohet në Kuvend, atëherë ta bëjmë atë me 40 nënshkrime. Në kërkesat tona që gjërat të shkojnë në procedurë të rregullt asnjëherë nuk ka pasur mirëkuptim, por vetëm shtyrje pa asnjë arsyetim”, u shpreh ajo.

Deputetja nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj, thotë për KosovaPress, se për partitë opozitare është mekanizëm thirrja e seancave të jashtëzakonshme për çështje të ndryshme.

“Kam qenë një kohë të gjatë në opozitë dhe e respektoj punën që e bënë opozita, sigurisht që mekanizëm i tyre është thirrja e seancave, interpelancave, pyetjeve parlamentare. Unë i inkurajoj të vazhdojnë dhe të mbajnë Qeverinë përgjegjëse përmes debateve të shëndosha në Kuvend”, potencoi ajo.

Ndërkaq, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, potencon se mbajtja e një numri kaq të madh të seancave të jashtëzakonshme e pengon punën e rregullt të Kuvendit.

“Ndonëse në parim është pozitive që të diskutohet për çështje që i preokupojnë qytetarët po edhe vet deputetët, sepse Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohen këto çështje. Megjithatë për shkak të specifikave të punës së Kuvendit përgjatë kësaj legjislature, seancat e jashtëzakonshme vetëm sa e kanë ngadalësuar punën e Kuvendit, e kanë interferuar në mbarëvajtjen e seancave plenare pa ofruar ndonjë rezultat. Ne kemi pa që përkundër faktit që janë thirr këto seanca të jashtëzakonshme ka pasur diskutime prej një numri të vogël të deputetëve, sepse interesimi nuk ka qenë i madh për këto pika ndonëse të rëndësishme. Megjithatë në shumicën e rasteve Kuvendi ose deputetët kanë dështuar që të aprovojnë qoftë ndonjë rezolutë apo rekomandime të dala nga debatet të cilat i kanë realizuar në këto seanca të jashtëzakonshme. Kjo faktikisht, seancat e jashtëzakonshme po i bënë vetëm një arenë e përpla sjeve dhe një arenë e diskutimit e cila në fund të ditës nuk po prodhon asnjë efekt”, u shpreh ai.

Gjatë këtyre muajve Kuvendi ka mbajtur edhe tri seanca solemne, një për 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një për shënimin e 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe një për përkujtimin e 20 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme