Arbëri

Hetime preliminare për Pal Lekajn, nën dyshimet për keqpërdorime të tenderëve me rrugë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dyshohet se mund të jetë i përfshirë në një rast të keqpërdorimeve me tenderë në këtë dikaster.

Koha Ditore ka raportuar të enjten se Prokuroria Themelore në Prishtinë, para disa muajsh, sipas burimeve të gazetës, ka hapur një rast preliminar të hetimeve, por që ende nuk ka një aktvendim për fillimin e tyre, raporton KTV.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka, ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje, për Kohën Ditore, ka treguar vetëm se ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit sqarim nëse kjo lëndë është në kompetencë të kësaj prokurorie.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konstatuar se kjo lëndë është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe se kjo prokurori tash e tutje merret me këtë rast”, ka thënë Beka.

Në korrik 2018, ndaj Lekajt Gjykata Themelore e Gjakovës e kishte konfirmuar aktakuzën sa i përket veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa e kishte hedhur poshtë aktakuzën për veprën penale “përvetësim në detyrë”.

Përveç Lekajt, në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj, aktakuzë ka edhe ndaj ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në aferën “Pronto”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ishte gjobitur për të shtënat me armë në odën e Fatmir Limajt. Për rastin e njëjtë me gjobë ishte dënuar edhe zv/kryeministri, Dardan Gashi.