Surroi tregon si e gjeti Prishtinën më 13 qershor 1999

Surroi dyshon se dialogu po vazhdon nën hije, “Thaçi të dërgohet në Kushtetuese”

12 June 2019 20:17
21:37

Publicistja Flaka Surroi ka thënë se dyshon se dialogu mes Kosovës e Serbisë është duke vazhduar nën hije.

Sipas saj, presidenti Hashim Thaçi ka grabitur procesin e negociatave dhe kjo duhet të ndalet.

“Hashim Thaçi është i njëjti si para 20 vjetësh. Nuk e shoh se ka ndryshuar. Në dukjen e jashtme normalisht që ka ndryshuar, por për fat të keq s’është përfaqësuesi më i mirë që mund të ketë ky shtet. Mënyra si e ka grabit procesin e negociatave në vjetët e fundit është e tmerrshme. Është shumë e dëmshme dhe besoj se duhet të gjendet fuqia brenda spektrit politik që t’i ndalet hovi, sepse kompetencat që ka marrë krye në vete, pa autorizim të Kuvendit, pa platformë, pa ide e thjesht të shkojë në Bruksel për të vënë nënshkrime në dokumentet që i bëjnë dëm, duhet të ndalet. Duhet të ndalet në mënyrë demokratike”, ka thënë ajo në Rubikon.

Sipas saj, Thaçi duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese pas deklaratave për bashkim me Shqipërinë, apo korrigjim kufijsh me Serbinë.

“Hovin mund t’ia ndalë vetëm Kuvendi, por ky Kuvend s’mund të marrë asnjë vendim tash. Askush s’e ka shumicën”, ka thënë ajo, duke shtuar se as kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka ndalur Thaçin të vazhdojë dialogu, pavarësisht se ai po thotë që me taksë ka ndaluar dialogimin për kufijtë.

“Bindja ime është se negociatat po vazhdojnë në hije, jo në publik. Kontaktet vazhdojnë mes Thaçit e Vuçiqit. A ishin në Sllovaki së fundmi. Dolën publikisht e thanë se s’do të takohemi. Kjo ishte ‘u takuam po s’po tregojmë çka biseduam’. Thaçi me deklaratën që kërkon bashkimin e Shqipërinë apo më herët me atë për korrigjim kufijsh po shkel Kushtetutën. Nëse dikush do t’ia iniciojë procedurën pranë Kushtetueses dhe nëse ajo s’luan rolin e piunit si në të kaluarën, Thaçit do të duhej t’i konstatohej shkelje e do të duhej të dorëhiqej ose shkarkohej”, ka shtuar Surroi.

Sipas Surroit, zgjedhjet e reja në vend nuk do të sillnin asgjë të re. Ajo ka thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë efekt me parti të vjetra. Sipas saj, pos PSD-së që mund të konsiderohet parti e re, të gjitha janë të vjetra e të pareformuara.

Ka thënë se LDK-ja e PDK-ja duhet reformuar dhe të sjellin njerëz të ri për të nisur reformimin e plotë të skenës politike. Ka kritikuar LDK-në se vet e bëri president Thaçin e tash e kritikon dhe se shumica e kryesisë janë të klasës së vjetër. Për PDK-në ka thënë se akoma aty ka ndikim Hashim Thaçi, ndërsa për Vetëvendosjen ka thënë se e mira e saj është se ka treguar konsistencë, por ka shtuar se “pengesë absolute është mosnjohja e Kosovës si republikë e simbolet e saj”.

“Nëse vepron këtu politikisht e thua se flamuri i këtij shteti është i papranueshëm, s’po kuptoj se çka do të bëje nesër nëse ti i fiton zgjedhjet. A do të na bashkoje për një ditë me Shqipërinë?” ka pyetur ajo.

Për PSD-në ka thënë se mbetet subjekt i panjohur, por ka shtuar se dy kryetarët e komunave nga kjo parti, Shpend Ahmeti në Prishtinë dhe Qëndron Kastrati në Kamenicë, duhet të kishin dhënë dorëheqje morale pas largimit nga VV-ja me të cilën parti kishin fituar postet.

Më e keqja që ka sjellë kjo politikë në Kosovë, sipas Surroit, është dorëzimi i qytetarëve dhe fakti se shumë prej tyre thonë pas 20 vjetësh çlirimi se “po ta dinim se do të bëhej kështu do të kishim ik më moti”.

21:25

Surroi: Fatkeqësia e Kosovës është që udhëhiqet nga një klasë politike e paaftë për të ndërtuar shtet

Publicistja dhe drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, ka argumentuar pse, nga mllefi, i referohet Kosovës si “shtet hajgare”.

Ajo ka thënë se fatkeqësisht në këto 20 vjet nuk jemi shtet që kemi krijuar prosperitet, por jemi shtet që ka krijuar varfëri, mbytje të shpresës.

“Ne ndoshta nuk jemi vendi më i pasur, por asetet tona bashkë me gati 1 miliardë euro remitenca të diasporës janë keqpërdorur”, ka thënë Surroi.

Ajo është shprehur tejet kritike me investimet e Qeverive radhazi të Kosovës në asfalt.

“Me to, as nuk kemi krijuar vende pune, as nuk kemi ngritur eksportin, vetëm kemi harxhuar paratë e gatshme për të bërë rrugë”, ka thënë Surroi, teksa ka shprehur dyshimin se kësisoj është bërë për shkak se aty është mundësia më e lehtë për hajni dhe abuzim.

“Kudo që shkoni dhe e shihni se sa kushton kilometri i një autostrade dhe e krahason me tonën, duhet vihet gishti në kokë dhe thuhet pse këtu kostoja është pesëfish më e lartë. Në një shtet normal kjo do të duhej të ishte punë për prokurorinë”, ka thënë Surroi.

Ajo ka thënë se Kosova e cila ka 45 për qind papunësi dhe 35 për qind varfri nuk mund të shesë mend duke ndërtuar autostrada të shtrenjta.

Ajo është shprehur kritike me klasën politike.

“Është fatkeqësi e këtij vendi që udhëhiqet nga një klasë politike që është treguar totalisht e paaftë për të ndërtuar shtetin”, ka thënë Surroi, në Rubikon të KTV-së.

“Nuk mundesh me na nxjerr shpirtin pse ke luftuar dhe tash po e përdorë pushtetin për t’u pasuruar”, ka thënë ajo, teksa ka shprehur edhe një dilemë.

“Fakti që Qeveria e Përkohshme është emëruar në Tiranë në kohën e bombardimeve në Prishtinë, dhe aty ishte caktuar se kush do të jetë ministër, tregon se këta që janë sot në pushtet gjatë luftës kanë qenë në Shqipëri”, ka thënë Surroi, derisa ka zbuluar edhe një detaj.

“Aty Veton Surroi është propozuar që të jetë ministër i Jashtëm. Ma ka thënë Ylber Hysa në Tetovë, në maj të 1999-s. Unë i kam thënë se si mund të emërohet ministër dikush me të cilin nuk keni kontakt. Dhe, nëse duhet të bëhet ministër, Vetoni duhet të bëhet ministër i Brendshëm, sepse prej 4 nënshkruesve të marrëveshjes së Rambujesë, vetëm ai është në Kosovë”, ka thënë Surroi.

Kujtojmë se nënshkrues të marrëveshjes, pos Surroit, kanë qenë edhe Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Rexhep Qosja.

21:01

Cili ishte kushti i Flaka Surroit për të marrë drejtimin e Grupit Koha

Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit Koha, ka treguar në Rubikon të KTV-së kushtin që kishte caktuar për të marrë drejtimin e kësaj kompanie nga themeluesi Veton Surroi, vëlla i saj.

“Duke më njohur si motrën e vet nga fëmijëria ndoshta më kishte besuar këtë punë. Nuk isha e vetëdijshme se çka po bëj, por kur jemi marrë vesh, u morëm vesh që të jem plotësisht e pavarur në vendimet e mija, e që nuk do të përzihej. Këto ishin kushtet, unë jam shefi, unë vendosi, unë marr barrën. Kuptohet këshilla mund të ketë, por e mirë është të mos ishte pjesë e kompanisë”, ka treguar ajo për marrjen e menaxhimit të kompanisë në vitin 2004.

Surroi ka treguar se i kishin dalë shumë telashe me të marrë drejtimin e kompanisë.

“Ardhja në krye të kompanisë më gjeti me 300 punëtor, nuk e kam ditur se çka po më pret. Më dolën shumë telashe. Gjashtë muajt e parë më është dashur që të ambientohem në vendin e ri të punës. Shumicën e njerëzve që kanë punuar i kam njohur, por është ndryshe raport kur bëhesh shef i dikujt. Unë kurrë nuk marrë pjesë në asnjë mbledhje në desk porse ideja ka qenë që frymën që e ka ndërtuar me Vetonin të vazhdojë si me mua si pa mua. Unë isha një mbështetje nga jashtë, jo edhe në përzierjen e punëve të tyre të përditshme. Kjo ka filluar nga viti 2004, vazhdon edhe sot”, ka shtuar Surroi.

20:50

Surroi: Më 2004-ën nuk funksionoi Qeveria

Flaka Surroi, që më 2004 për disa muaj ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përhershme të zyrës së kryeministrit, ka thënë se Qeveria që udhëhiqej nga Bajram Rexhepi nuk kishte funksionuar.

Sipas saj, secili ministër i asaj kohe e konsideronte veten kryeministër në vete.

“Nuk ka funksionuar. Secili ministër e ka konsideruar veten kryeministër në vete. Secili veproi si ia ka marrë mendja. Problemi ishte se kontrollin e buxhetit e ka pas LDK-ja e vendimet politike PDK-ja. S’mund të bëheshin bashkë. Shumë gjëra u bllokuan sepse ministri i financave thoshte se nuk i lëshoj paratë thuajse ishin të tijat”, ka thënë ajo duke shtuar se nuk ka parë fare bashkëpunim mes dikastereve të ndryshme të qeverisë.

Ajo ka treguar se në këtë detyrë ishte nga muaji prill 2004 deri në muajin shtator të atij viti.

Këtë pozitë thotë se e kishte pranuar pasi kryeministri i asaj kohe Bajram Rexhepi i kishte kërkuar ndihmë për administratë.

“Zoti Bajram Rexhepi më thirri e më tha se a mund të më ndihmosh. I thash s’merrem me politikë e s’di çka mund të të ndihmoj. Më tha se më duhesh në administratë. Ndoshta pasi ishte diçka që isha mësuar si administratë, i thash mund të vi por me kusht që të jetë jo gjatë, diskret, të mos lidhet me asnjë aktivitet partiak të asnjë lloji sepse s’i përkas asnjë partie. Isha nga muaji prill 2004 deri në shtator të vitit 2004 disa javë para se të niste fushata. Ishte qëllimi të mos isha në atë objekt në fushatë, aq më parë kur Vetoni ishte me Orën”, ka thënë ajo duke shtuar se, sipas saj, edhe atë kohë administrata kishte rreth 50 vetë më shumë se që duhej.

Duke vazhduar për figurën e ish-kryeministrit Rexhepi, Surroi ka thënë se ai u shndërrua në një rrezik për presidentin aktual, Hashim Thaçi, që ishte kryetar i PDK-së atë kohë.

“Zoti Rexhepi deri më 2004 nuk e di se çfarë fuqie ka pas. Pas trazirave të marsit ka fituar kredibilitet të jashtëzakonshëm sidomos karshi faktorit ndërkombëtar dhe ka pas përkrahje të plotë. Është munduar me aq sa ka ditë dhe është munduar ta mbajë balansin me partitë, UNMIK-un e gjithë atë presion. Ai u shndërrua në një rrezik për Hashim Thaçin pasi ishte aq i favorizuar. Kur u bë si figurë se mund të fitojë edhe një mandat, nisën t’i ikin këshilltarët nga partia një nga një. Nisi një luftë për t’ia dobësuar pozitën e kur erdhi puna për të qenë në krye të listës, Bajrami ra. Por ai ishte shumë i mirë, si kryeministër s’di sa ka pas sukses duke ditur se ishte kirurg, por është munduar me gjithçka që dinte dhe mundej. Në prezencë me palën ndërkombëtare arriti të mbajë nivel të komunikimit normal”, ka shtuar ajo.

20:47

Surroi flet për arsimin në kampe refugjatësh dhe pse pasluftës shkollat u bënë në tenda

Flaka Surroi, aktualisht drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, kujton dëbimin për në Maqedoni, dhe angazhimin e saj atje, me UNISEF-in, kryesisht për arsimin.

“Kur kam mbërri në Maqedoni, gjënë e parë që e kam bërë ka qenë që jam lajmëruar në UNICEF, organizatën ku kisha punuar në Prishtinë. Më angazhuan dhe më thanë se duhet të merresha me arsimin”, kujton Surroi.

Është ndalur te organizimi i mësimit në tenda, derisa ka theksuar Kampin e Çegranit, si i fundit në të cilën është ngritur kampi shkollë.

“Organizuam një shkollë me 32 tenda, në të cilat zhvillohej mësimi në 5 turne. Kampi ishte i madh, me rreth 40 mijë refugjatë. Rreth 150 arsimtarë të ndryshëm u gjetën në mesin e atyre njerëzve, dhe të gjithë u lajmëruan vullnetarë për të punuar”, ka thënë Surroi.

Me UNISEF-in dhe shkollat ajo është marrë edhe pasluftës në Kosovë. Ajo tregoi se për shkollat e shkatërruara, kishin vendosur që t’i zëvendësonin me tenda, ndonëse atë kohë u kritikuan për zgjidhjen e bërë.

Sipas saj, u vendos që të bëhej me tenda meqë po të vendoseshin kontenjerë atëherë si të palëvizshëm, kontenjerët do të mund të përdoreshin për kohë më të gjatë dhe kësisoj ndërtimi i shkollave të shtyhej.

Në tenda, thotë Surroi, periudha dimërore ishte e pamundshme të kalohej dhe kësisoj ata arritën që të nxisin ndërtimin e shkollave.

“Ajo që duhet të ceket është se fëmijët të cilët e kanë kaluar kohën e tyre dy orëshe nëpër kampet e Maqedonisë, u është dhënë dëftesa që nuk ishte zyrtare, mirëpo donim që ta kenë atë dëftesë dhe që të vërtetohet se ata e kaluan një vit shkollor aty dhe kjo ka pasur sukses”, ka thënë Surroi.

20:27

Flaka Surroi kujton lajmin e rremë për vrasjen e Vetonit dhe ribashkimin me familjen

Flaka Surroi, ka folur edhe për lajmin e rrem që kishte qarkulluar në atë kohë, kinse për vrasjen e vëllait të saj, intelektualit dhe pjesëmarrësit të nënshkruesit të marrëveshjes së Konferencës së Rambujesë, Veton Surroi.

“Unë isha në Kodër të Diellit, dhe kur e pash lajmin në BBC, u nisa të shkoja në Taslixhe, ku ishin të strehuar pjesa tjetër e familjes sime. Nuk munda të hyja sepse e kishin barrikaduar derën. Dola nga ana e pasme e shtëpisë dhe krejt çka arrita të shoh ishin duart e nënës dhe Vetonit. Ia njoha orën Vetonit dhe e kuptova se nuk kishte ndodhur ajo”, ka kujtuar Surroi, në Rubikon të KTV-së.

Ndërkohë ajo kishte shkuar në Maqedoni dhe familja kishte mbetur në Prishtinë. Ajo kujton edhe momentin e ribashkimit me familjen.

“Ka qenë takim si në filma. Kur kemi ardhur prej Maqedonisë, kemi ardhur me një vargan prej 70 makinash të cilës i kanë prirë britanikët. Interesant ka qenë në Ferizaj, që kishin mbledhur lule dhe na jepnin. Edhe pse u flisnim shqip ata na kthenin në anglisht: Thank you, NATO”, ka kujtuar Surroi.

Duke qenë pjesë e UNICEF-it, me këtë organizatë kishte arritur që të kthehej në Prishtinë, ajo tha nuk e kishte të lejuar që të lëvizë nëpër qytet e vetme.

"U thash se dua të shkoj. Ose shkëputmani kontratën, ose çelmani pushimin vjetor, ose sidoqoftë. Mbërritëm zgjidhjen më të mirë, kur shefi më tha ti shko e unë po bëhem kinse nuk po të shoh. Mbërrita në Tasligje. Dera ishte e mbyllur dhe unë u detyrova ta kapërcej një gardh të lartë. Takimi, me shumë emocione është vështirë i përshkrueshëm. Por nëse sot më detyroni ta kapërcej atë gardh, nuk do të mund ta bëja”, ka thënë Surroi.

20:17

Surroi tregon si e gjeti Prishtinën më 13 qershor 1999

Flaka Surroi, drejtoresha menaxhuese e Grupit “Koha”, ka kujtuar se si e ka gjetur Prishtinën më 13 qershor të vitit 1999, një ditë pas hyrjes së KFOR-it në Prishtinë.

Në Rubikon të KTV-së, Surroi ka treguar se 12 qershori, dita e çlirimit të Prishtinës, e kishte gjetur në Shkup me punën e saj në misionin e UNICEF-it.

Ajo ka treguar se 12 qershori ishte qenë natë e gjatë pasi një natë më herët kishin parë lajmet se forcat ruse kanë hyrë në Prishtinë.

“Dita e 12 qershorit ka qenë dita në të cilën e kalova pas një nate të gjatë ankthi. Isha në Shkup. Çlirimi më gjeti syrgjyn në Maqedoni. Pas një 60-ditëshi të kaluar atje nëpër kampe, na u dha rasti të gëzohemi. Por s’e kishim të qartë kur do të ktheheshim prapa. E pamë në CNN lajmet e para se trupat ruse kishin depërtuar në Prishtinë. Ishte natë e gjatë, pamë euforinë e serbëve që u transmetuan në pamjet televizive. Frikë se mund të ishte një tragjedi edhe më e madhe. S’dija gjë për familjen time. Ishim në Shkup pa ditur se çka ka ndodhur me familjet tona”, ka thënë ajo.

Surroi ka thënë se Prishtinën e gjeti pjesërisht të çliruar më 13 qershor.

“Morëm dritën e gjelbër nga forcat e sigurisë që të ktheheshim në ekipe të vogla. Në gjysmë dite ishte ankth, pas gjysmë dite ishte gëzim aq i madh sa që e kaluam gjithë pasditen në një vetëshërbim duke blerë sende për të ardhur të nesërmen në Prishtinë. Për mua ditë çlirimi ishte 13 qershori kur e gjeta Prishtinën pjesërisht të çliruar. Po them pjesërisht sepse gjetëm forca policore në disa pjesë. Pastrimi i plotë i Prishtinës ndodhi diku kah 19 qershori, kur forcat policore serbe ishin larguar plotësisht”, ka treguar më tej ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme