Nderohen Albrighti e Clarku, ata mezi presin ta shohin Kosovën në NATO e BE

Valmira Saraçi-Sahatçiu 12 June 2019 19:51

Festa për Ditën e Çlirimit ka nisur me një medalje për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.

Zonja që dha ndihmë të pakursyer për Kosovën, u dekorua me medaljen “Urdhri i Lirisë”, nga presidenti Hashim Thaçi.

“Jam shumë krenare për çdo gjë që ju dhe ne kemi bërë për t’i mundësuar këto gjëra. Nuk do ta harroj kohën kur erdha në Prishtinë pas luftës, turmat e mëdha të njerëzve dhe shkrimet që thoshin ‘Faleminderit SHBA’. Mendoj që Shtetet e Bashkuara bënë gjënë e duhur kur ndihmuan popullin e Kosovës ta fitojë lirinë dhe të punojë shumë. Jam shumë e lumtur që jam me ju sot këtu, që vazhdoni të punoni shumë për paqe dhe demokraci në Kosovë. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të njihet si i tillë. Jam e lumtur që njihemi si persona që kontribuuan për të, si dhe për të gjitha ato vajzat e vogla emri i të cilave është Madeleine", ka thënë ajo.

Presidenti, ndërkaq, tha se Albright do të mbetet gjithmonë heroinë për popullin e Kosovës.

Tutje, Albright ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Ajo tha se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e saj, derisa kryeparlamentari tha se kombi gjithmonë do të jetë falënderues ndaj saj.

Tjetër nderim për veprën e ish-sekretares Madeleine Albright, bëri kryeministri Ramush Haradinaj.

I pari i Qeverisë ia ka dorëzuar pullën postare të edituar nga Posta e Kosovës, me portretin e saj.

Në 20-vjetorin e Çlirimit, presidenti ka pritur edhe ish-gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark.

Clark tha se e pret me padurim anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Pres me padurim kohën kur Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Dua ta shoh këtë vend si anëtare të NATO-s, sepse NATO-ja është për ata njerëz që besojnë në liri”, ka thënë Clark.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi e ka vlerësuar të veçantë vizitën e ish-gjeneralit në 20-vjetorin e Çlirimit.

Me Medalje Presidenciale është nderuar edhe Xavier de Marnac.

Presidenti i Kosovës e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave, ish-komandantin e KFOR-it, e më pas EULEX-it në Kosovë .

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme