Kosova dhe qytetarët e saj i janë falënderues Clintonit e Albrightit, pritje madhështore në Prishtinë

Kushtrim Kadriu 12 June 2019 19:12

20-vjetori i çlirimit u shënua me manifestimin kryesor në Prishtinë.

Personalitete të shumta botërore iu bashkuan dekadës së dytë të lirë të Kosovës.

Qytetarët i kanë quajtur engjëj shpëtimtarë ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, raporton KTV.

Pas përfundimit të fjalimeve nga sheshi ‘Skënderbeu’, Clinton dhe Albright kaluan nëpër sheshet e kryeqytetit, në ecjen e lirisë.

Që të dy ecën dorë për dore deri te zbulimi i bustit të ish-sekretares Madeleine Albright.

Kosovarët i shoqëruan me duartrokitje dhe brohoritje.

Derisa vizituan ekspozitën e Ditës së Çlirimit, ish-presidentit Clinton iu dhurua një plis.

Më pas, u bë zbulimi i bustit të Madeleine Albrightit në afërsi të obeliskut New Born. Këtë Albright e cilësoi nder të madh.

“Jam shumë e nderuar që të kem një bust në Prishtinë. Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua. Do të doja të ju falënderoja të gjithëve për këtë nder. E falënderoj atë që më ka bërë kaq të gjatë. Njerëzit më pyesin cila nga veprat e mia më bën më krenare dhe ajo është Kosova sepse patëm mundësinë t’i sigurojmë popullit të Kosovës të jetojë në paqe dhe i jam mirënjohëse presidentit Clinton, i cili e mori vendimin për të bërë gjithë çfarë mundëm për ju”, ka thënë Albright.

Ndërkaq, në afërsi të shtatores së ish-presidentit Clinton, në shenjë mirënjohjeje, u përurua një pllakë afër shtatores së tij.

“Kjo është dhuratë shumë e çmuar për mua. Faleminderit për këtë pllakë që e keni vendosur këtu, sepse dëshiroj që çdo qytetar i Kosovës ta dijë se kjo do të thotë shumë për mua. Dhe jo vetëm për atë që kam bërë për fëmijët e tyre, për veten, por për atë që kam bërë për tërë Evropën”, ka thënë Clinton.

Mbarëvajtja e manifestimit për 20-vjetorin e çlirimit u përcoll nën masa të shtuara të sigurisë.

Policë kishte në çdo cep të shesheve të kryeqytetit.

U panë edhe snajperistë për të ofruar siguri për të gjithë të pranishmit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme