Tony Blair me videomesazh për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Tony Blair me videomesazh për 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës

12 June 2019 19:07

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, përmes një videomesazhi ka uruar popullin e Kosovës në 20-vjetorin e çlirimit.

Duke kujtuar vendimin e NATO-s për intervenim në Kosovë, Blair ka thënë se nuk ishte vendim i lehtë.

“Në fillim të 99-s, NATO mori një vendim historik për të intervenuar për të ndaluar humbjen emëtejme jetëve të Kosovës, për të mbrojtur të drejtat e njeriut e për të siguruar stabilitetin në rajon e Evropë”, ka thënë ai.

Në videomesazhin e tij, Blair ka thënë se e kanë ditur se Kosova do të ketë rrugë të vështirë përpara, por ka shtuar se ka pasur besim te qytetarët e Kosovës.

Ai ka shtuar se për të ardhmen duhen vendime të vështira, por është zotuar se do të provojë edhe personalisht që të arrihet paqja afatgjate në Ballkan.

“Sigurisht dimë se ka shumë sfida përpara. Krijimi i një paqe të qëndrueshme merr kohë, punë të vështirë e kurajë. Por besoj se dëshira dhe lidershipi është aty. Progresi kërkon vendime të vështira. Por e keni bërë këtë më parë dhe besoj se mund ta bëni prapë. Kam besim të thellë se ballkanikët do të kalojnë sfidat e gjata dhe të zënë vendin e merituar në botë. Teksa reflektojmë për gjeneratat e kaluara, vendosmëria jonë për të siguruar paqe duhet të vazhdojë. Personalisht zotohem se do të bëj gjithçka që mundem për të arritur paqen afatgjate dhe të vendosim shtetet e Ballkanit në zemër të Evropës”, ka shtuar ai.

“Qytetarëve të Kosovës u them se ishim në anën tuaj dhe jemi akoma. Keni vuajtur shumë, por e keni tejkaluar. Duhet të ndërtoni të ardhmen për njerëzit tuaj, në një shtet të pavarur, sovran e brenda familjes evropiane. Kam besim se ky vizion mund dhe do të jetë e ardhmja për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar më tej Blair.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme