Albright: Kosova është e pavarur, meriton të njihet nga të gjithë Foto: Ksp

Haradinaj i dhuron Albrightit një pullë postare me figurën e saj

12 June 2019 10:18
11:11

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e cila po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të çlirimit dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Haradinaj ka shprehur falënderimin e thellë ndaj Albrightit për angazhimin dhe kontributin e saj për lirinë dhe mbrojtjen e popullit të Kosovës në kohët më të vështira. “Ne kujtojmë me pietet dhe ndjenjë të respektit angazhimin tuaj gjatë luftës në Kosovë, për ndaljen e vrasjeve dhe të dëbimit të popullit tonë, si dhe për çlirimin e Kosovës nga forcat pushtuese serbe”, ka thënë kryeministri.

Ai tha se janë të nderuar që sot, Sekretarja Albright po e shënon bashkë me ta 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që sot bashkë me ta, po nderon sakrificën ndër breza të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe po nderojnë e kujtojnë dëshmorët e martirët e kësaj toke, sakrificën e secilit.

“Në familjet e shqiptarëve, në zemrat tona dhe në kujtesën historike të vendit, ju keni mbetur përgjithmonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ramush Haradinaj në këtë rast i ka dorëzuar pullën postare të edituar nga Posta e Kosovës, me portretin e ish-Sekretares Madeleine Albright. “Përmes këtij veprimi të Postës së Kosovës, dëshirojmë të ruajmë respektin për zonjën e madhe Albright”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ish-Sekretarja Madeleine Albright ka falënderuar kryeministrin Haradinaj dhe popullin e Kosovës, duke thënë se Kosovës i duhet liria, paqja dhe demokracia dhe se vlerëson progresin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre njëzet viteve. Ajo është shprehur e vendosur që të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe afirmimit edhe në të ardhmen.

Albright konsiderohet mike e vendit tonë nga momentet vendimtare, gjatë luftës në Kosovë, kur i ka kushtuar kohë dhe ndihmë për ta mbrojtur nga gjenocidi serb dhe për çlirim. Ajo ishte në pozitën e Sekretares së Shtetit në kohën e luftës në Kosovë dhe kishte një rol vendimtar në organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Rambujesë, që rezultoi me ndërhyrje të NATO-s në Kosovë dhe ndërprerjen e dëbimit dhe vrasjeve të popullit të Kosovës, dhe me lirinë e saj.

10:18

Albright: Kosova është e pavarur, meriton të njihet nga të gjithë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar ish sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright me Urdhrin e Lirisë.

Me këtë rast mikja e Kosovës Ablright ka thënë se ka dëshirë të merr çmime por asgjë nuk e gëzon më shumë se të jetë pjesë e Kosovës.

“Jam krenare për gjithçka që keni bërë ju dhe ne për t’i arritur këto gjëra. Nuk do harroj kurrë vitet e luftës, njerëz që brohorosnin ‘Faleminderit USA’. Mendoj që SHBA ka bërë gjënë e duhur. Jam e nderuar të jem këtu me ju. Kosova është vend i pavarur prandaj meriton të njihet”, tha Albright.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ajo do të mbetet gjithnjë heroi i popullit të Kosovës.

“Jemi të bekuar si vend si popull që Clinton dhe ju jeni rikthyer në shtëpinë tuaj familjen tuaj për të uruar 20 vjetorin e lirisë së Kosovës, 20 vjetorin e shpresës dhe besimit për vendit. Ju keni ditur të bashkoni botën demokratike. Si president i Kosovës dhe mik i juaji, më lejoni të ndaj çmimin e Urdhrit të Lirisë, për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi

Image

Më pas, me Albright është takuar edhe Kadri Veseli.

Veseli ka pritur sot në një takim të veçantë sekretaren Amerikane Madeleine Albright të cilën e ka falënderuar për gjithçka që SHBA-të kanë bërë për lirinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

Veseli e ka falënderuar Zonjën Albright që sot në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës ka ardhur në Prishtinë për të festuar bashkë me qytetarët çlirimin e Kosovës.

“Faleminderit shumë për pritjen zotëri kryetar. Unë po ndihem sikur në shtëpinë time”, tha Albright në takim me kryeparlamentarin Veseli.

Kreu i Kuvendit ndërsa tha se falë mbështetjes së SHBA-së, Presidentitn Clinton, sekretares Albright dhe gjeneralit Clark, Kosova ka arritur lirinë dhe është sot shtet i pavarur.

Image

Më pas, Albright është takuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme