Arbëri

Juncker: Zgjedhjet të mbahen më 30 qershor

Descriptive Text

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker tha se njerëzit nuk duhet të ndalohen të kryejnë këtë të drejtë demokratike, duke shtuar se shtyrja e zgjedhjeve do të shtynte perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Ndonëse refuzoi të ndërhyjë në debatin midis Presidencës dhe shumicës në Shqipëri për 30 qershorin, Jean-Claude Juncker tha se nëse zgjedhjet mbahen, askush nuk duhet t’i ndalojë qytetarët të shprehin mendimin.

“Dua të theksoj, edhe pse është një çështje e vështirë, rëndësinë që ka uniteti politik në arritjen e qëllimeve të Shqipërisë. Të gjitha partitë politike në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Zgjedhjet janë parashikuar për në fund të qershorit, qytetarët nuk duhet të pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Nuk mund të bllokosh shprehjen e vullnetit të qytetarëve shqiptarë, prandaj mendoj, pa ndërhyrë në këtë debat të brendshëm, që zgjedhjet duhet të zhvillohen, përndryshe perspektiva evropiane e Shqipërisë do të vonohet”, u shpreh Juncker, raporton tch.

Kryeministri Rama nuk pranoi të flasë në Bruksel për konfliktin me presidentin Metën, por theksoi se ishte dakord me mendimin e shprehur nga Juncker.

“Jam dakord me mendimin e presidentit të Komisionit Evropian. Preferoj t’i qëndroj komentit të tij e të mos komentojmë deklaratën e presidentit të vendit. Do të kemi kohë më pas, kur të kthehem në Shqipëri. Ta lëmë për atje”, u shpreh Rama.