Arbëri

SHBA-ja është duke i vlerësuar pasojat e anulimit të zgjedhjeve nga Meta

Foto: AP

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me vendimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit.

“Departamenti i Shtetit”, tha zëdhënësi, “do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër”.

Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njëjtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.

“Partitë e opozitës”, tha zëdhënësi, “duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale”.