Arbëri

KFOR-i krenar që garantoi sigurinë në Kosovë për 20 vjet

Descriptive Text

Lorenzo D'Adario, Komandant i KFOR-it, në ceremoninë e përvjetorit të 20-të të KFOR-it, ka thënë se kur e mendon Prishtinën e 20-vjetëve më parë, i kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës.

“Kur mendoj Prishtinën e vitit 1999 më kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës por edhe ndjenjës që më e keqja kishte mbaruar pas atyre muajve shkatërrimtarë të luftës civile. Shumë njerëz ishin zhvendosur kishte mungesë të sigurisë dhe shërbimeve themelore”, ka thënë ai.

D’Adario ka kujtuar të gjithë ata që kanë dhënë jetën gjatë intervenimit në Kosovë.

“Ishim pjesë e një grumbullimi të paprecedent të kombeve të bashkuara një forcë e fuqishme në përkushtimin e saj për të intervenuar në terren për të bërë një ndryshim, përkundër të gjitha sfidave. Nën komandën e Trupave Aleate për reagim të shpejtë, përfundimisht rreth 5000 ushtarë nga 39 vende erdhën në Kosovë nga e tëra bota. Sot i kujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për këtë mision të rëndësishëm”, ka shtuar ai, raporton Koha Ditore.

KFOR-i, sipas D’Adarios, ka ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjithë “duke mundësuar krijimin e kushteve për rifillimin e shërbimeve, jetës politike dhe civile, duke punuar së bashku me organizatat dhe misionet tjera ndërkombëtare në cilësinë tonë si prani ndërkombëtare e sigurisë, me mandat të rezolutës 1244 të OKB-së”.

“Si rezultat i kësaj, Kosova është vend shumë më ndryshe se 20 vjet më parë. Kosova ka përjetuar 20 vite të paqes dhe zhvillimit. Ky përparim nuk ka ardhur falas. Gjatë këtyre 20 viteve më shumë se 200 ushtarë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR. Kosova është dëshmitare e zhvillimit të nja shoqërie energjike. Rrugëtimi është përplot sfida dhe ende ka shumë vështirësi që duhet të tejkalohen. E kur e kthej kokën prapa, nuk shoh më njerëz duke u munduar të shpëtojnë, kokën e tyre, por shoh qytetarë të gatshëm për ta ndërtuar mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, ka thënë më tej ai.

Megjithatë, sipas D’Adarios, ka ende shumëçka për t’u arritur. Sipas tij, zhvillimet në Ballkan po ecin drejt përparimit dhe integrimit. Ai ka thënë se pajtimi me të kaluarën kërkon guxim për kompromis që mund të vijë vetëm me vizion dhe përkushtim ndaj njerëzve.

Në anën tjetër, admirali James Foggo, ka thënë se KFOR-i është operacioni më i madh i NATO-s në Evropë. Sipas tij, KFOR-i mbetet forcë garantuese e mjedisit të qet në vend.

“Javën e kaluar iu bashkova mijëra personave në plazhet e Normandisë për të përkujtuar 75 vjetorin e Ditës së Zbarkimit, ai ishte operacioni i përmasave epike. Numri i viktimave ishte i madh në të dyja anët. Sikur shumica nga ju unë kam lidhje personale me atë luftë, babai im ishte në Forcat Kanadeze, dhe zbarkoi në Normandi në korrik të vitit 1944. Përkushtimi i palëkundur i aq shumë ushtarëve, marinarëve, pjesëtarëve të forcave ajrore dhe marinësve e mposhti tiraninë dhe e çliroi Evropën. Si rezultat i tmerreve të luftës së dytë botërorë, popujt e botës u bashkuan dhe i formuan Kombet e Bashkuara. Synimi ishte krijimi i një forumi të përkushtuar dialogut dhe parandalimit të konfliktit. Në mënyrë të ngjashme traktati i Uashingtonit i vitit 1949 para 70 viteve e themeloi Organizatën e Traktatit të Atlantikut Veriore. Ishte qershori i vitit 1999, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e themeloi Forcën për Kosovën si ‘prezencë ndërkombëtare të sigurisë e autorizuar për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë’”, ka deklaruar ai. “Mund të shikojmë prapa me kënaqësi se KFOR-i e ka bërë mu këtë. KFOR-i është operacioni më i madh i NATO-s në Evropë. Ai mbetet në Kosovë sot si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”.

Në përvjetorin e 20-të, ai ka uruar gjeneratën e re të paqes dhe ka lavdëruar përpjekjet e tyre për të ndërtuar të ardhmen më të mirë.

“Në 20 vjetorin e KFOR-it, i inkurajoj të gjithë të reflektojnë. Po është koha të kujtojmë por edhe të ecim përpara”, ka përfunduar ai.


Në ceremoninë solemne mori pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ndërprerja e gjenocidit dhe spastrimit etnik janë vlera më sublime për lirinë dhe jetën.

“Në përvjetorin e çlirimit dhe të kthimit të qytetarëve të Kosovës në tokën e tyre, sot kujtojmë sakrificën e popullit tonë dhe atë të ushtarëve të NATO-s që u renditën në të drejtën e njerëzimit. Sot, kemi ndërtuar një Kosovë, shtëpi e përbashkët e të gjithëve. Një shtet, që ngërthen brenda sistemit të vet po ato vlera dhe parime, të cilat para dy dekadash i përfaqësonin, shtetet dhe kombet e lira, anëtare të NATO-s. Mburremi me ketë fuqi të përkushtimit për ndërtimin e të ardhmes së përbashkët”, ka thënë Haradinaj, në urimin e tij në shënim të 20 vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë.