Arbëri

Meta: Pa caktuar Presidenti datë, s’ka zgjedhje

Foto: Ilustrim

Presidenti Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të hëne në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të sqaruar vendimin e tij në lidhje me anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Duke cituar Kushtetutën ai tha se Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për zhvillimin e referendumeve. Ai shtoi se zgjedhjet janë moment bashkimi për qytetarët shqiptar dhe kurrsesi nuk mund të jetë ditë ndarëse.

“Kurrsesi data e zgjedhjeve nuk mund të jetë ditë përçarëse.Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend. Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cënon disa parime kushtetuese”, tha Meta.

Sipas tij, nëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore merr pjesë vetëm mazhoranca, atëherë qytetarëve i cënohet ushtrimi efektiv i të drejtës për të zgjedhur.

“Në këto zgjedhje konkurron vetëm një kandidat për t’u zgjedhur si kryetar bashkie. Kjo gjë tregon qartë se ky proces zgjedhor është fiktiv dhe farsë dhe standardet demokratike shkelen në mënyrën më flagrante”, ka thënë ai.

Ai thotë se, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës cënon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilin ndërtohet shteti i së drejtës.

“Pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës cënon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilin ndërtohet shteti i së drejtës.Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike krijon rrezikun e një konflikti civil. Presidenti duhet të angazhohet në mënyrë racionale për të mbrojtur vlerat dhe parimet kushtetuese”, ka shtuar ai.

Meta thotë se, ka vënë re se sjellja e aktorëve politik në vend ka krijuar një klimë konflikti në vend. Të dy palët kanë bërë nxitje për provokime ndaj njëra-tjetrës, duke i ndarë qytetarët në dy pjesë.

“Nëse dita e zgjedhjeve do të shndërrohet në një beteje force, atëherë zgjedhjet do të kumbisnin vlerën e tyre në një shoqëri demokratike. Ky rrezik duhet të parandalohet me mjete kushtetuese ku padyshim përfshihet edhe anulimi i datës së zgjedhjeve. Shfuqizimi i dekretit nënkupton shtyrjen e tyre për një datë tjetër. Anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe shtyrja e tyre për një datë tjetër të dakorduar”, ka shtuar tutje ai.