Zyrtari i MASHT-it: Bytyqi kërkoi nënshkrimin e dokumentit të jashtëligjshëm

Urim Isma Urim Isma 06 June 2019 19:14

Ferit Idrizi, ushtruesi i detyrës së drejtorit për Integrime Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështje Ligjore në MASHT, të mërkurën, thotë se u kërcënua nga ministri Shyqiri Bytyqi.

Tërë kjo pasi ai nuk pranoi të nënshkruajë një dokument, siç i kishte kërkuar ministri Bytyqi, që Zyra Ligjore e MASHT-it thotë se e vlerësoi të jashtëligjshëm.

Bëhet fjalë për një opinion ligjor, të cilin e ka kërkuar ditë më parë Agjencia e Akreditimit nga MASHT-i, meqë Komisioni i Ankesave në Agjenci, jashtëligjshëm, kishte akredituar programe studimore, duke i marrë kompetencat e bordit.

Idrizi ka thënë se opinionin nuk e kishte shkruar zyra e tij, por ia kishin dërguar nga kabineti i ministrit vetëm që ta nënshkruante.

Sipas tij, meqë juristët e zyrës së tij e kanë vërejtur se dokumenti nuk është i bazuar në ligj, është dashur ta ndryshojnë e kjo nuk i ka pëlqyer ministrit.

Për këtë, Idrizi e ka denoncuar ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Denoncimin ndaj ministrit e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës.

Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit, përmes një komunikatë për media, i kanë mohuar akuzat e Idrizit drejtuar ministrit Bytyqi, duke i quajtur ato shpifje dhe kanë paralajmëruar masa ndaj tij.

“MAShT-i sqaron opinionin publik se për shkak të sjelljeve të pahijshme të z. Idrizi, në takimin e mbajtur dje në zyrën e ministrit Bytyqi, ku prezentë kanë qenë edhe tre zyrtarë tjerë të MAShT-it, ministri ka qenë i detyruar për të kërkuar nga z. Idrizi që t’ia lirojë zyrën. Të gjitha pretendimet e z. Idrizi, që sot kanë qarkulluar në opinion, janë shpifje si dhe çdo deklaratë e tij se kinse ministri ka kërkuar nga z. Idrizi të nënshkruajë ndonjë dokument që bie ndesh me ligjin, nuk është e vërtetë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me shpifjet e u.d të drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinimit të Politikave dhe Çështjeve Ligjore, z. Ferit Idrizi, menjëherë do të marrë masat e parapara konform legjislacionit në fuqi.”

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme