Arbëri

Petroviq i ankohet Kosnettit për trajtimin që Serbia po u bën zyrtarëve të SLS-së

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), Slobodan Petroviq është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, të cilit i ka shprehur shqetësimin për trajtimin që Serbia po u bën zyrtarëve të partisë së tij.

Sipas një njoftimi nga SLS-ja, Petroviq ka shprehur shqetësimin rreth retorikës ndezëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe keqtrajtimin e zyrtarëve të lartë të Partisë së Pavarur Liberale në vendkalimet në Serbi nga pjesëtarë të BIA-s dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Në njoftim thuhet se Petroviq ka kujtuar se aspirata e partisë së tij është të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë, në mes të të gjitha komuniteteve.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës.