Arbëri

PDK: Vendimet për spitalin në QKUK u morën më 2015, kur LDK drejtonte MSH-në e VV Komunën e Prishtinës

Foto: Koha

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila në konferencën e sotme për media ka mbajtur përgjegjës për këtë skandal ish-kryeministrin Hashim Thaçi, tani president.

Ismaili, përmes një komunikate për media, ka thënë se “Afera Spitali” është nisur në vitin 2003, në Komunën e Prishtinës, nga zyrtarët më të lartë të LDK-së dhe e përfunduar me licencimin e këtij spitali në vitin 2015 nga qeverisja e LDK-së, ndërsa tha se sot mori një amnisti nga Partia Vetëvendosje.

“Në kohën kur janë marrë vendimet që kanë mundësuar licencimin e këtij spitali, të dy këto institucione, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë qenë nën qeverisjen e PDK-së, por nën qeverisjen e LDK-së dhe të Vetëvendosjes. Tentimi i sotëm nga Vetëvendosje për ta shfajësuar LDK-në dhe vendimet e Ismet Beqirit e Sami Hamitit nga ‘Afera Spitali’ tregon edhe një herë qartazi se partia e Albin Kurtit është vënë nën komandën e Isa Mustafës, kundër të cilit Vetëvendosje kishte deponuar 72 dosje me pretendime për korrupsion”, citohet të ketë thënë Ismaili në këtë komunikatë të PDK-së.

Ai thotë se PDK-ja po insiston që ta hetojë dhe ta zbardhë këtë çështje, ndërsa thekson se besimi në institucione duhet të rritet me veprime konkrete nga organet e drejtësisë dhe jo me tentime për fshehjen e rastit, “siç kemi parë se ka ndodhur me ‘Aferën Spitali’ që nga viti 2003”.

Ministri i Shëndetësisë, njëherësh nënkryetar i PDK-së, ka thënë po ashtu se partia Vetëvendosje ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, ashtu siç e ka udhëhequr LDK Ministrinë e Shëndetësisë, pikërisht në vitin 2015, ndërsa pyet se “cilat veprime apo mosveprime e kanë mundësuar finalizimin e këtij projekti që ka ngritur kaq shumë dyshime për korrupsion” dhe “pse ka mbetur i heshtur ky rast deri tash kur e ngritëm ne si çështje”.

“Është evidente që LDK dhe Vetëvendosje tash reagojnë për ta mbrojtur njëra-tjetrën dhe për të krijuar huti, vetëm pas kërkesës së qartë të PDK-së për hetimin e plotë të këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës. Por, të gjithë le ta kenë të qartë se ne nuk do të pushojmë deri sa drejtësia të thotë fjalën përfundimtare për ‘Aferën Spitali’”, ka përfunduar Ismaili.