Arbëri

Shala: Kemi inspektorë të tregut në të gjithë Kosovën

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, duke komentuar aksionin policor që rezultoi me dhjetëra policë të arrestuar nën dyshimin për kontrabandë, ka thënë se kjo ministri ka inspektorë në të gjithë vendin, përfshirë veriun ku dje pati aksion të policisë.

Ai ka thënë se në treg përmes inspektimeve s’kanë vënë re mallra që janë futur ilegalisht, por ka thënë se nuk mund të përjashtojë që ka pasur shkelje. Për këtë ka thënë se tash kur institucionet kanë vënë re shkelje, kanë ndërmarrë aksionin sikur ai në dy ditët e fundit.

“Në tregun e Kosovës, deri më tash, Inspektorati s’ka has në mallra që kanë hy në Kosovë, në mënyrë joligjore. Por kjo nuk nënkupton apo ndikon në hetimet që organet tjera kanë vepruar që mund të gjejnë shkelje të ligjit në fuqi. Duke ditur marrëveshjet që Kosova ka pas në Bruksel me Serbinë dhe kthimin e disa punëtorëve të strukturave tjera, besoj që MTI është e vetmja ministri që diku mbi 30 zyrtarë të saj i kemi angazhuar e i kemi inspektorë të tregut që inspektojnë në tërë territorin e Kosovës, në bazë të kompetencës së tyre. Pos institucioneve të sigurisë që veprojnë në çdo centimetër edhe zyrtarët e MTI-së veprojnë me kapacitete në çdo centimetër”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.