Arbëri

Edhe sivjet policia kosovare me patrullime gjatë sezonit veror në Shqipëri

Me datën 29 maj 2019, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë Ardi Veliu, u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Referuar nevojës dhe rëndësisë së vazhdimit të bashkëpunimit dhe patrullimeve të përbashkëta në mes të dy agjencive policore, në përpjekje për rritjen e elementeve të Sigurisë Rrugore në Shqipëri, edhe këtë vit përgjatë periudhës së paraparë të sezonit veror zyrtarët policorë të trafikut nga Republika e Kosovës do të kryejnë patrullime bashkërisht me njësitet e trafikut të Policisë së Republikës së Shqipërisë në shtetin e Shqipërisë.

“Referuar numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, numrit të madh të mjeteve motorike që qarkullojnë në akset kryesore rrugore, si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve, në vazhdimësi janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri, andaj si rezultat i këtyre vlerësimeve edhe këtë vit u nënshkrua kjo Marrëveshje Mirëkuptimi”, thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht ky patrullim i përbashkët ka për qëllim primar rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.