Arbëri

Apostolova: Liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur

Foto: Ilustrim

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka folur sot për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian, Apostolova theksoi se në raportin aktual theksohet që të gjitha kriteret janë përmbushur dhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian rekomandojnë liberalizimin për Kosovën që të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Mendoj që kjo është gjuha më e fortë që kemi parë në raport që nxit shtetet anëtare që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt”, është shprehur Apostolova, raporton ksp.

Ndryshe, në raportin e progresit, në pjesën mbi kriteret politike, thuhet se Kosova ka bërë progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor në fushat e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Kuvendi thuhet se ishte në gjendje të ndërtonte shumicën për disa çështje strategjike kyçe për Kosovën, siç tregohet nga ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe miratimi i reformave legjislative të rëndësishme në BE.

Megjithatë, thotë raporti, Kuvendi vazhdoi të vepronte në një kontekst politik shumë të polarizuar dhe mbetën dobësitë në funksionimin e saj të përgjithshëm, siç dëshmohet dukshëm nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, duke rezultuar në vonesa në veprimtarinë legjislative.

“Ka pasur progres të kufizuar në adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe komunale të mbajtura në vitin 2017”, thuhet në pjesën e Raportit të Progresit mbi kriteret politike.