Arbëri

Situata në veri të Kosovës raportohet e qetë, në mesditë protestë

Foto: Koha

Mitrovicë, 29 maj - Situata në pjesën veriore të Kosovës raportohet e qetë, pas aksionet të djeshëm antikrim të Policisë së Kosovës, me ç'rast u arrestuan 19 punonjës të policisë, nga të cilët 11 serbë, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë, transmeton Koha.net.

Ka pasur edhe të plagosur, katër policë e gjashtë qytetarë, por asnjëri nuk e ka jetën në rrezik.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar, BE dhe prania ndërkombëtare në Kosovë, pra edhe KFOR-i, e konsideruan si një aksion normal dhe të dobishëm, Beogradi zyrtar këtë aksion të Policisë së Kosovës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, që u ndërmor dje jo vetëm në tri komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Leposaviq e Zubin Potok, e përdori për hesape të propagandës së saj si aksion kundër serbëve, për t'i frikësuar ata dhe nuk hezitoi as të kërcënojë me përdorim të forcave të armatosura “për të mbrojtur popullin serb kudo që jeton”.

Me gjithë raportimin për situatë të qetë në këto komuna të Kosovës, Beogradi vazhdon të raportojë për situatë të acaruar atje, për pasojë për sot në mesditë është paralajmëruar protestë, siç e cilësojnë organizatorët, të qetë në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Dëshirojmë t'i tregojmë Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar sa shumë jemi dhe se nuk na kanë trembur aksionet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, se do të qëndrojmë dhe do të mbrojmë shtëpitë tona”, citojnë mediat serbe deklaratën e Goran Rakiqit , kryetar i Listës Serbe, transmeton Koha.net.

Po ashtu ai ka paralajmëruar aktivizimin e të ashtuquajturit Shtabi i Krizës, “i cili do të marrë vendime minutë pas minute”.