Arbëri

Olenik: Nuk shtrohet pyetja se a do ta njohë Serbia Kosovën, por kur dhe si

Kryetari i Forumit Qytetar Demokratik (Građanskog demokratskog foruma-GDF) Aleksandar Olenik ka vlerësuar sot se “nuk shtrohet pyetja se a do ta njohim Kosovën, por kur dhe si do ta njohim pavarësinë e saj”. transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se të gjitha bisedimet tjera janë “shitje mjegulle, futje e kokës në zall dhe fshehje e të vërtetës nga opinioni."

Përfaqësuesit e GDF –së, Partia e Serbisë Moderne, (SMS) dhe Toleranca e Serbisë kanë paraqitur sot propozimin e përbashkët për zgjidhjen e, siç quhet në Serbi, çështjes së Kosovës.

Olenik ka thënë se njëra nga zgjidhjet që e ofrojnë këto parti do të arrihej në bazë të Marrëveshjes së Brukselit e që do ta përfaqësonte superstrukturën e saj.

"Kosova që nga vitit 1999 faktikisht është e pavarur, ndërsa Marrëveshja e Brukselit ia ka dhënë 50 për qind të elementeve të pavarësisë së vërtetë. Me zgjidhjen që e ofrojmë, Serbia do ta kalonte pjesën tjetër të elementëve të vërtetë të pavarësisë, pos nënshkrimit të pavarësisë që do të bëhej në momentin kur Kosova hyn në Bashkimin Evropian”, citon Beta të ketë thënë Olenik.

Ai ka shtuar se do ta përkrahnin edhe ndarjen, nëse e pranojnë të dy patët, edhe pse, ka shtuar ai, ndarja është opsion i keq .

"Në rast të kësaj marrëveshjeje, edhe Kosova e edhe Serbia do të kishin kufij të rinj dhe do të ishte e nevojshme që menjëherë pas kësaj të ndodhë njohja reciproke", ka thënë Olenik.

Bashkëkryetari i Partisë së Serbisë Moderne Aleksandar Stevanoviq ka thënë se zgjidhja e Kosovës do ishte “ikje nga realiteti dhe regjistrim i listës së dëshirave, që nuk janë reale ".

"Qëllimi ynë është që Kosova dhe ne të jemi nën një kulm të përbashkët, të kemi treg të përbashkët, monedhë. Serbia këtë mund ta arrijë në kuadër të shtëpisë së BE- së e me siguria Kosova ka për të hyrë përpara në BE”, ka thënë Stevanoviq.

Ai ka theksuar se mbajtja e konfliktit të ngrirë nuk ardhmëri dhe se do të përkrahte çfarëdo zgjidhjeje, qoftë ajo dhe ndarja.