Arbëri

Thaçi: Të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij

Descriptive Text

E ardhmja e Kosovës është e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE, por po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxirrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij.

Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në shënimin e 20 vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

Me këtë rast presidenti Thaçi tha se beteja e Pashtrikut ishte prej betejave më të lavdishme të UÇK-së.

"Beteja e Pashtrikut ishte një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së, ishte një prej betejave më mirë të organizuara krahasuar me madhështinë e projekteve të tjera. Projekti Shigjeta me jehonën e brendshme dhe ndërkombëtare ishte kryeprojekti i betejave të UÇK-së. Domosdoshmëria e një fronti të gjerë dhe masiv luftarak të UÇK-së përball ushtrisë serbe ishte shtruar qysh në janar të vitit 1999. Populli ynë sapo kishte përjetuar një prej masakrave më çnjerëzore në Reçak. Operacioni më i madh, më masiv dhe më frontal i UÇK. Prandaj të gjithë ju bashkëluftëtarë, invalidë të luftës, të gjithë ju pjesëmarrës ndihuni krenar për lavdinë e betejës që e keni fituar. Në atë kohë unë si kryeministër i qeverisë së përkohshme e kuptoj jehonën e brendshme, por edhe ndërkombëtare që pati fillimi i operacionit Shigjeta, i cili kishte për qëllim koordinimin me forcat e NATO-s. Tashmë, UÇK ishte rritur e forcuar dhe pjesë e saj ishin bërë edhe ushtarakë që kishin shërbyer në luftërat rajonale", tha ai.

Thaçi shtoi se operacioni Shigjeta ishte një operacion që mobilizoj gjithë arsenalin, që fitoi një mbështetje nga shteti shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe një mbështetje të botës.

“Fronti i Pashtrikut kishte një jehonë të jashtëzakonshme. Për të gjithë ne, por edhe për aleatët tanë ishte fronti i shpresës, i besimit, i fitores përfundimtare të shqiptarëve kundër Serbisë. Humbjen më të madhe Serbia e pësoi në frontin e Pashtrikut dhe kjo ishte kryebeteja e UÇK-së", tha ai.

Ndërsa, gjenerali Kudusi Lama tha se operacioni Shigjeta bëri që bota të shihte vendosmërinë për liri të vendit.

"UÇK me luftën e saj titanike arriti të bëhet bashkëluftëtare e NATO-s. Në kuadër të këtyre operacioneve erdhi edhe operacioni shigjeta. Ushtarët e këtij operacioni ishin shqiptarë që ishin larguar nga shtëpitë e tyre më dhunë. Në Pashtrik, UÇK ndërmori hapin e radhës për ta intensifikuar luftën. Operacioni Shigjeta bëri që bota të shihte vendosmërinë për liri të vendit", tha ai.

Rifat Sylejmani, shef i operativës së operacionit Shigjeta, ka treguar detaje nga operacionit.

"Dëshmitë tregojnë se kush ishte UÇK, ne pjesëmarrësit e këtyre ngjarjeve e kemi obligim të tregojmë për gjeneratat e ardhshme. Harresa është armiku më i madh i një populli. Operacioni Shigjeta ishte hapi vendimtar për lirinë e Kosovës. Ishte i një llojit të veçantë dhe Shigjeta ishte plani i parë i hartuar", tha ai.